Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Ilir Berisha, ka bërë të ditur për Ekonomia Online se Eurostati, i cili është institucioni evropian përgjegjës për grumbullimin e statistikave, ka shtyrë afatin për dërgimin e të dhënave nga regjistrimi i popullsisë për të gjitha shtetet e Evropës.
Ai ka bërë të ditur se kjo shtyrje ka ndodhur nga kërkesat që kanë bërë shtet e tjera të BE-së dhe se afati i cili ka qenë i paraparë që të dhënat nga regjistrimi i popullsisë të dërgohen deri në dhjetor, është shtyrë deri në mars të viti 2024.
Ai ka shtuar se Kosova regjistrimin e popullsisë do ta bëjë gjatë këtij viti dhe se do të jetë e gatshme që në kohë t’i dërgojë të dhënat në Eurostat.
“Është një lajm i mirë që Eurostati afatin e fundit e ka pasur në fund të dhjetorit të këtij viti, mirëpo me kërkesën e disa vendeve në bazë të informacioneve që kemi në takimet që janë mbajtur në muajin maj, me kërkese të disa vendeve të BE-së Eurostatit e ka shtyrë edhe për tre muaj të tjerë. Ka krijuar një afat shtesë deri në fund të muajit mars. Besoj që ne do të jemi në kohë për dërgimin ne Eurostat dhe Kosova do të jetë me shifrat e saj, me treguesit kryeso për popullsinë, për demografinë e Kosovës në këtë regjistrim. Ne do të jemi brenda këtij viti do të kemi regjistrimin e popullorësisë dhe të dhënat do të jenë me kohë të dërguar në Eurostat”, tha ai.
Ai tha se ASK-ja është e përkushtuar që nga viti 2019 për projektin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Ai ka treguar edhe aktivitet të cilat është duke bërë kjo Agjenci për këtë projekt, që sipas Berishës është ndër projektet më të mëdha statistikore në nivel nacional.
“Agjencia e Statistikave të Kosovës është e përkushtuar që nga viti 2019 për projektin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave si projekti më i madh statistikor në nivel nacional. Ne tani kemi kryer një varg aktivitetesh duke filluar harta rrugore, nga plani i aktiviteteve, nga aprovimi i ligjit, nga azhurnimi i çarqeve që është bërë deri të krijimi i komisionit qendrorë, krijimi i komisioneve komunale, finalizimi i pyetësorëve. Aktualisht aktivitetet që janë duke u zhvilluar janë aktivitet e prokurorimit, përgatitjet për shpalljen e konkurseve për regjistrues dhe mbikëqyrës dhe aktivitet të tjera sipas planit të punës”, tha ai.
Ushtrues i detyrë së kryeshefit të ASK-së ka thënë se për këtë projekt nga Qeveria janë ndarë 12 milionë euro, 500 mijë euro nga Komisioni Evropian dhe 600 mijë euro asistencë teknike janë ndarë nga Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën.
“Për regjistrimin e popullsisë janë aprovuar 12 milion euro nga buxheti i Kosovës, ndërsa nga donacionet për momentin kemi 500 mijë euro asistencë financiare ose donacion financiar nga komisioni Evropian, zyra ndërlidhëse në Kosovë, dhe 600 mijë euro asistencë teknike nga Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën. Presim nga donatorët që të kemi mbështetje nga aspektet si në asistencë teknike por mund të ndodh edhe në asistencë financiare. Ky buxhet është i mjaftueshëm për ti kryer të gjitha aktivitete deri në grumbullimin e të dhënave”, tha ai për EO.