Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës është mbajtur takimi përmbyllës për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, pjesë e të cilit ishin edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe përfaqësues nga UNFPA dhe UNDP raporton Ekonomia Online.
ASK-ja me këtë rast ka falënderuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që me pjesëmarrjen e tyre gjatë këtyre javëve bashkëpunuan afër me regjistruesit për një projekt të tillë madhor dhe të rëndësishëm për Kosovën.
“Një falënderim i veçantë dhe meritor për regjistruesit dhe mbikëqyrësit për punën e tyre si persona kontaktues me qytetarët, përfaqësuesit nga komunat e Kosovës, Komisionin Qendror të Regjistrimit, grupin punues për siguri kibernetike, Policinë e Kosovës, institucionet e tjera qeveritare dhe jo qeveritare, partitë politike pa dallim që mbështetën projektin e Regjistrimit të Popullsisë, Qeverinë e Kosovës, Kuvendin e Kosovës dhe Zyrën e Presidencës. Mbështetje ofruan edhe institucionet ndërkombëtare përfshirë: Eurostat, UNECE, UNFPA, UNDP dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare në Kosovë, të cilat dhanë kontribut të çmuar duke mbështetur projektin e Regjistrimit të Popullsisë (ReKos2024) si nga ana profesionale, teknike dhe financiare”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Sipas ASK-së, regjistrimi i Popullsisë, si një nga projektet më madhore dhe më komplekse të një vendi në kohë paqeje, përkundër sfidave dhe kompleksitetit që ka pasur, u realizua me shumë sukses, e i cili u arrit falë bashkëpunimit dhe koordinimit me institucionet e tjera vendore e ndërkombëtare. “Realizimi i Regjistrimit të Popullsisë (ReKos2024) është një dëshmi se institucionet tona mund të arrijnë të realizojnë projekte në nivel kombëtar e ndërkombëtar”, thuhet në fund të njoftimit të ASK-së.