Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie ka mbajtur dëgjim publik për plotësim ndryshimin e Ligjit për Statistikat Zyrtare.
Isa Krasniqi, kryeshef ekzekutiv i Entit të Statistikave të Kosovës, tha se ky institucion duhet të kalojë nën menaxhimin e Kuvendit, për shkak të rëndësisë që ka.
“Nga praktika që kemi pasur deri më tash në kuptimin e menaxhimit të këtij institucioni e kemi parë dallimin në mes të qenit të këtij institucioni në kuadër të një ministrie në gjendjen e të qenit në kuadër të ministrisë. Kemi pasur një mbështetje më të madhe nga qeveria në momentin që kemi qenë në kuadër të kryeministrisë sesa kur kemi qenë në kuadër të një ministrie”.
Sipas Krasniqit, e arsyetoi mendimin e tij duke thënë se Kuvendi prodhon statistika zyrtare për rritjen ekonomike, raporton Ekonomia Online.
“Ne prodhojmë tregues makroekonomik që janë tregues shumë të rëndësishëm për ekonominë e një vendi, për zhvillimin e politikave, për ndërtimin e programeve, strategjive, ligjeve po ashtu. Ne prodhojmë statistika për popullsinë, kjo është një përgjegjësi shumë e madhe që ndoshta nuk i takon vetëm një ministrie apo veç qeverisë, por gjithë Kosovës dhe vendi ku është më i fuqishëm është Kuvendi i Kosovës”, tha ai.
Kryetari i komisionit Nait Hasani tha se vendimin për kalimin e ASK-së nën menaxhimin e Kuvendit duhet ta marrin institucionet e shtetit në konsultim me kryeministrin ose kryetarin e Kuvendit.
“Besoj që shumë shpejt do të mblidhemi si komision, do t’i shqyrtojmë këto pika por çështja e kalimit si agjension te Kuvendi apo te Qeveria ose te ndonjë ministri është vendim politik që do ta marrin institucionet e shtetit dhe në konsultim me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit ndoshta edhe me Ministrinë e Financave do ta shohin se ku do ta lënë këtë”.
Ndërkaq Shqipe Pantina nga Partia Socialdemokrate tha se Enti i Statistikave të Kosovës duhet të kalojë nën mbikëqyrjen e qeverisë.
“Në raportin vjetor një prej problemeve kryesore që ju e keni theksua është se institucionet administrative nuk po ju japin juve të dhënat ose po i vonojnë. Tash nëse biem në Kuvend kjo mundet hala më shumë me u votuar, sepse Kuvendi për hir të natyrës së punës së vet, për shkak se është burokracia dhe është normale do ta vononte ndikimin hala më shumë te këto institucione, ndërsa Qeveria, gjegjësisht kryeministri, sepse unë mendoj që duhet të jenë nën qeveri dhe jo nën ministri sepse e ka më të lehtë”, tha ajo.