Numri i madh i golave po kënaq tifozët e futbollit në këtë Botëror.
Pasi janë zhvilluar gjysma e ndeshjeve të Kampionatit Botëror, në 32 takime të deritanishme, nuk ka pasur asnjë rast kur 90 minuta të jenë mbyllur pa të paktën një gol të shënuar.
Që nga Botërori i largët i vitit 1954 ishte vendosur rekordi prej 26 ndeshjesh radhazi të cilat nuk e njihnin rezultatin e bardhë, por mesa duket pesha e kohës ka qenë e rëndë, duke bërë që të dorëzohet pikërisht në Rusi, transmeton ksp.
32 ndeshje të luajtura kanë sjellë numër të mjaftueshëm golash, pasi janë shënuar plot 85, me një mesatare të kënaqshme prej 2.6 golash për ndeshje.
Në ditën e fundit të raundit të dytë të kësaj faze është barazuar një tjetër rekord. 14 gola janë shënuar në 3 sfidat e së dielës, duke barazuar rekordin e golave në një ditë të vetme me tri ndeshje, rekord që ishte vendosur më 10 qershor të 1990-ës, edhe atëherë me 14 gola.