Mospajtimet rreth modaliteteve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe kanë futur në bllokadë negociatat Kosovë-Serbi.
Zyrtarë të Brukselit, por as ata në Prishtinë, nuk kanë dhënë një datë se kur mund të rinisin ato, raporton KOHA.
Derisa pala kosovare refuzon që kjo çështje të shtrohet në tryezën e bisedimeve, ajo serbe nuk pranon të diskutohet për temat e tjera.
Zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Peter Stano, i ka thënë KOHËS se janë duke punuar në përgatitjen e takimit të radhës, qoftë në nivel të ekspertëve apo nivel të lartë politik.
“Puna është duke vazhduar në përgatitjen e takimeve të mëtejshme në kuadër të dialogut. Ne do t’i shpallim datën dhe agjendën e takimeve të ardhshme kur është e përshtatshme – qoftë në nivelin e ekspertëve apo në nivelin e lartë politik”, ka thënë Stano.
Burime të KOHËS brenda Qeverisë kanë thënë se pala kosovare nuk ka vullnet të rinisë angazhimet rreth Asociacionit, për shkak të zhvillimeve që mund të ndodhin rreth përbërjes së koalicionit, por edhe të kundërshtimeve brenda.
Veç opozitës, edhe presidenti Thaçi ka dalë kundër negocimit të Asociacionit në Bruksel, ani pse ai është nënshkrues i Marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013 dhe mbështetës i Mustafës, kur ai kishte firmosur Marrëveshjen e parimeve më 2015.
Koordinatori i Qeverisë për dialogun, Skënder Hyseni, i kontaktuar nga KOHA, nuk ka pranuar të komentojë. Ai ka thënë shkurt se nuk ka asgjë rreth takimeve dhe e ka mbyllur telefonin.
Por drejtues të Asociacionit aktual thonë se nuk kanë hasur në ndonjë asociacion që i tejkalon kufijtë e kompetencave prej një OJQ-je.
Deri më tani në bazë të përvojave tona nuk kemi hasur në ndonjë Asociacion i cili ka kompetenca ekzekutive apo vendimmarrëse. Do të thotë të gjitha asociacionet, të bazuara në kartën evropiane për vetëqeverisje duhet ta kenë statusin juridik si organizatë vullnetare, jo vendimmarrëse. Kështu që edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi marrëveshjen e vitit janë caktuar edhe vijat e kuqe në atë kuptimin se çka duhet të bëjë një asociacion. Asociacioni nuk kanë kompetenca ekzekutive dhe në bazë të ligjit aktual për vetëqeverisje lokale, aty decidivisht shihet që nuk mund të kompetenca ekzekutive”, ka pohuar Sazan Ibrahimi, Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës.
E përfaqësues të shoqërisë civile thonë se BE-ja është e paqartë kur flet për ndryshimet kushtetuese.
Në këtë pikë nuk është e qartë se për çfarë ndryshime kushtetuese bëhet fjalë, në cilat pika të kushtetutës mund ta ndikojë marrëveshja finale kushtetutën e Kosovës, ku speficikisht do t’i kërkohet Kosovës që të ndryshojë Kushtetutën, dhe se a është e ndërlidhur kjo me asociacionin e komunave apo edhe pjesë të tjera të marrëveshjes”,ka deklaruar Violeta Haxholli nga KDI-ja.
Pavarësisht konstatimit të shkeljeve nga Gjykata Kushtetuese, angazhimet rreth themelimit të Asociacionit i patën rinisur ish-Qeveria Mustafa dhe ajo Haradinaj.
Ata patën themeluar Ekipin menaxhues për draftimin e statutit, të cilin ish-Qeveria Haradinaj ia pati kthyer mbrapsht për shkak se nuk ka qenë në përputhje me ligjet e vendit.