PDK thotë se Asociacioni mund të përdoret si pretekst për ikjen e Kurtit në pranverë, VV konfirmon se nuk do të votojë “marrëveshje të dëmshme”

Prishtinë | 18 Dhj 2021 | 07:55 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje thotë se marrëveshjet e dëmshme eventuale që mund të vijnë nga dialogu me Serbinë, do të kundërshtohen nga Qeveria e Kuvendi.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, e sheh si mundësi që VV-ja ta dërgojë vendin në zgjedhje vitin e ardhshëm, raporton Ekonomia Online.

Këta të fundit, thonë se marrëveshjet që janë nënshkruar më herët, do të përpiqen që t’i shqyrtojnë, në mënyrë që sipas tyre, Kosovës t’i mundësohet një pozicion i qartë në kërkesat e saj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se rrëzimi i Qeverisë Kurti në emër të dialogut mund të sjellë pasoja të mëdha politike për subjektet tjera, duke përmendur mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti 1 vitin e kaluar.

Tutje ai ka thënë se Kosova është i hapur për dialog, duke shtuar se është interes i paqes për Ballkanin Perëndimor, e që të përafrohet sa më shumë vlerave evropiane.

“Ne gjithmonë pretendojmë që kundërshtimet të kemi nga Serbia dhe në asnjë masë nuk do duhej që në Kosovë, subjektet politike ta shfrytëzojnë këtë, sepse është tentuar një kohë që në emër të dialogut të rrëzohet Qeveria Kurti dhe pastaj është marrë mesazhi nga votuesit”.

“Unë mendoj që oportunistët politikë duhet ta kenë parasysh që politika nuk është kontabilitet, por është një qëndrim i këtij vendi dhe votuesve që të kundërshtojnë marrëveshje të dëmshme për Kosovën, dhe që Kosova është i hapur për dialog dhe në fakt është interes i paqes për Ballkanin Perëndimor, e që të përafrohemi sa më shumë vlerave evropiane, mirëpo ato duhet të bazohen në prinicipe, sepse shtetet kështu funksionojnë”, tha Muja.

Teksa ka folur për një marrëveshje finale me Serbinë, deputeti i VV-së, thotë se një e tillë e dëmshme për Kosovën nuk do të vijë, duke shtuar se të tillë marrëveshje do ta kundërshtojnë në Qeveri dhe në Kuvend.

“Është e pamundur të ratifikohen në përbërjen e këtij Kuvendi marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Në Lëvizjen Vetëvendosje e kemi zgjidhur dilemën e parë që të pamundësohet qoftë përmes Qeverisë ose Kuvendit të kalojnë marrëveshje të dëmshme për Kosovën, dhe për këtë zotohemi dhe do të zbatojmë këtë deri në fund”.

“Sa i përket marrëveshjeve të dëmshme, unë jam më së i bindur që në vazhdim nuk do të ketë marrëveshje të dëmshme, në fakt jemi të hapur për të shqyrtuar çdo formë të avancimit të drejtave të njeriut, të Ballkanit Perëndimor, në ndërkohë duhet ta cekim që përpjekjet ogurzisë sa i përket Kosovës, mendoj që duhet të ndalohet dhe është një zile sa i përket faktorit ndërkombëtar”, u shpreh Muja për EO.

Për marrëveshje siç i quan ai të dëmshme, thotë se i kanë trashëguar tash e sa kohë, për të cilat thotë se janë marrëveshje që janë nënshkruar me shpejtësi të madhe. Për këtë, ai thotë se janë duke bërë përpjekje për t’i shqyrtuar zbatimin e atyre marrëveshjeve.

“Presioni që ne po ballafaqohemi zakonisht janë marrëveshjet e dëmshme që i kemi trashëguar në të kaluarën dhe mjerisht Serbia po i përdor ato kundër nesh. Marrëveshje të dëmshme kemi trashëguar edhe në fushat tjera, të cilat shpesh herë edhe në Kuvend na nxjerrin shumë telashe. Sepse në shpejtësi e sipër janë nënshkruar marrëveshje dhe nuk janë menduar mirë sa i përket funksionalitetit të brendshëm në Kosovë”.

“Mjerisht ne duhet të ballafaqohemi me këto marrëveshje, dhe na ka mbetur hise që t’i trajtojmë ato. Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale që në kuadër të përpjekjeve tona t’i shqyrtojmë të gjitha pjesë ose zbatimin e tyre, në mënyrë që Kosovës t’i mundësohet një rivijim i pozicioneve me të drejta të saj”, tha Muja.

Por të kundërtën po e thotë deputeti i PDK-së, Ferat Shala. Shala në një intervistë për Ekonomia Online tha se Asociacioni është njëri ndër pretekstet e ikjes së mundshme të Kurtit në pranverën e ardhshme, duke theksuar se ka edhe probleme tjera siç janë energjetike, problemet sociale dhe ekonomike.

“Asociacioni është njëri ndër pretekstet e ikjes së mundshme të Kurtit në pranverën e ardhshme, por janë edhe problemet tjera energjetike, sociale dhe ekonomike të cilat Qeveria Kurti po ballafaqohet dhe praktikisht po tregohet që nuk ka fare zgjidhej për këto probleme”. “Konsiderojë që qeveria Kurti është ajo që merr këtë përgjegjësi në çfarëdo situate qoftë dhe ne si PDK konform rrethanave do të jemi koshient por përgjegjësia është e qeverisë Kurti.  Nëse do të kemi zgjedhje do të thotë Qeveria Kurti është ajo që po ikë”, ka thënë Shala.

Të ngjashme