Prej pak ditësh, në segmentin nga “Pallati me shigjeta” deri te rrethrrotullimi i Doganës, që do të preket nga projekti i “Unazës së madhe”, numri i ndërtimeve pa leje që janë prishur ka shkuar në 18.
Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit i Bashkisë së Tiranës, vijoi edhe mëngjesin e kësaj të mërkure me prishjen e dy objekteve të ndërtuara pa leje në gjurmën e unazës, shkruan Top Channel.
Ashtu si dhe në shumicën e rasteve të mëparshme, edhe ndërtuesit e këtyre objekteve pa leje, që funksiononin për biznes, kanë bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës, duke larguar vet së pari të gjitha pajisjet elektroshtëpiake, ndërsa i kanë hapur rrugë më pas makinerive të IMT-së të bëjnë shembjen e ndërtimeve.
Ndërkohë ngjitur me këto ndërtesa, edhe disa objekte të tjera kanë bërë boshatisjen e ambienteve dhe pritet të prishën në orët në vazhdim.
Për të gjithë individët apo familjet që zotërojnë ndërtime pa leje në gjurmën e “Unazës së re”, Bashkia e Tiranës ka ofruar si mundësi zgjidhjeje banesat sociale pa afat perdorimi, ose bonus qiraje për 3 vite.