Atentati ndaj kryeministrit sllovak, dyshohet se autori mund të mos ketë vepruar i vetëm

Prishtinë | 20 Maj 2024 | 14:52 | Nga Ekonomia Online

Atentati ndaj kryeministrit sllovak, dyshohet se autori mund të mos ketë vepruar i vetëm
Zhvillime të reja kanë dalë në dritë nga hetimet lidhur me atentatin ndaj kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico. Ministri i Brendshëm, Matus Sutaj Estok deklaroi se për rastin ishte ngritur një ekip hetimor, i cili do të shqyrtonte nëse i dyshuari veproi si pjesë e një grupi të organizuar që kishin inkurajuar njëri-tjetrin për të kryer atentatin.

“Një akt që hedh dyshime për përfshirjen e personave të tjerë në ngjarje, ishte se komunikimet në internet të të dyshuarit ishin fshirë dy orë pas atentatit, por jo nga i dyshuari dhe me shumë mundësi as nga bashkëshortja e tij”, tha ministri , i cili shtoi se kjo është një shenjë se autori mund të mos ketë vepruar i vetëm, por krimi mund të jetë kryer nga një grup i caktuar njerëzish.

Ndërkohë zëvendëskryeministri Robert Kalinak tha të dielën se Fico ishte jashtë rrezikut për jetën, por gjendja e tij ishte ende shumë e rëndë për t’u transferuar në një spital në kryeqytetin Bratislavë.

Më herët Gjykata Speciale Penale e Sllovakisë vendosi se i dyshuari, i identifikuar nga prokurorët si Juraj Cintula, do të qëndrojë në paraburgim pasi akuzohet për tentativë vrasje. Ministri i Brendshëm tha pas ngjarjes se i dyshuari ishte i pakënaqur me politikën e qeverisë për Ukrainën.

Qeveria e Ficos i ka dhënë fund mbështetjes zyrtare ushtarake për Ukrainën dhe ka marrë një linjë më pro-ruse në konflikt, ndryshe nga shumica e partnerëve të Bashkimit Europian. Atentati ndaj Ficos ka bërë që i gjithë spektri politik i Sllovakisë të bëjë thirrje për ulje të tensioneve dhe zbutje të retorikës së ashpër mes politikanëve. Ndërkohë Policia sllovake tha të dielën se kishte arrestuar tre persona për postime në mediat sociale që mbështesnin atentatin ndaj kryeministrit.

Të ngjashme