ATK: 76 355 vërtetime tatimore të nxjerra online

Prishtinë | 25 Jan 2018 | 18:49 | Nga

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se përmes sistemit elektronik EDI, janë nxjerr 76 355 vërtetime tatimore në mënyrë elektronike. Vetëm gjatë viti 2017 janë nxjerrë 71 884 vërtetime të këtilla, ndërsa nga fillimi i muajit janar të këtij viti deri më sot numri i vërtetimeve të nxjerra është 4 471.

ATK-ja thotë se në kuadër të përpjekjeve që të ofrohen lehtësira më të mëdha për tatimpaguesit, kishte nisur të ofrohet shërbim elektronik on-line, ku bizneset mund të pajisen me Vërtetim Tatimor.

Vërtetimi Tatimor është dokument i cili tregon gjendjen aktuale tatimore të tatimpaguesit, i lëshuar nga ATK-ja, i cili do të shfrytëzohet për qëllime të ndryshme. Përmes sistemit elektronik EDI, tatimpaguesit mund të pajisen me Vërtetim Tatimor për qëllim të aplikimit për vizë, aplikimit për tender, pushimit të lehonisë, vazhdimin e lejes së qëndrimit në Kosovë, aplikimit për licencë etj.

Vërtetimi Tatimor i lëshuar në formë elektronike nga ATK, edhe pse nuk posedon vulë/ nënshkrim, është dokument i plotfuqishëm, ndërsa vërtetësia e përmbajtjes së këtij dokumenti, mund të verifikohet në çdo kohë përmes adresës elektronike të ATK-së http://evertetimi.atk-ks.org.

Pra, institucionet të cilat pranojnë Vërtetimin Tatimor, kanë mundësi të bëjnë verifikimin se ai dokument është identik me gjendjen e atij tatimpaguesi në Administratën Tatimore të Kosovës, në datën kur është lëshuar vërtetimi.

Të ngjashme