Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) rikujton të gjithë personat, të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor janë të detyruar të deklarojnë tatimet dhe kontributet pensionale në mënyrë reale.
Në njoftim për media, ATK u bënë thirrje që të deklarojnë apo korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre.
“Aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqendrohen pikërisht te kategoritë, si nën-deklaruesit e pagave të punëtorëve, nën-deklaruesit tek bizneset e mesme dhe të mëdha, nën-deklaruesit tek bizneset mikro dhe të vogla, me qëllim të identifikimit të atyre bizneseve, të cilat nën deklarojnë të ardhurat e tyre. Disa nga veprimtaritë në vijim, nuk zbatojnë këtë obligim, prandaj ATK, u bënë thirrje që të deklarojnë apo korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha obligimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor”, thuhet në njoftim.
ATK u bënë thirrje të gjithë personave të lartcekur që t’i përgjigjen në mënyrë të saktë detyrimeve tatimore, në të kundërtën ATK do të detyrohet që të ndërmarrë masat ndëshkuese sipas legjislacionit tatimor.
Në fund, ATK thotë se me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju kontribuoni direkt në ofrimin e shërbimeve publike për një mirëqenie të qëndrueshme ekonomike dhe shoqërore.