Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka falur rreth 105 milionë euro borxhe ndaj tatimpaguesve në disa kategori prej 3 shtatorit 2015, kur ka hyrë në fuqi Ligji për Faljen e Borxheve Publike.
Vetëm gjatë këtij viti (2016), ATK-ja ka pranuar rreth 6 000 kërkesa për përfshirjen në programin e faljes së borxheve. Ndërsa, për borxhet deri në 100 euro që janë falur në mënyrë automatike, janë mbi 21 000 tatimpagues që janë përfshirë nga kjo falje.
Këtë e bën të ditur, Hamdi Hoxha, ushtrues detyre i zëvendësdrejtorit të përgjithshëm për Funksione të Veçanta në ATK, në një bisedë me Ekonomia Online. Hoxha ka treguar se kur kanë mbetur më pak se një javë deri në përfundim të afatit, ATK-ja i ka pranuar 8 000 kërkesa për përfshirjen në programin e faljes së borxheve.
Tatimpaguesit mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi që ua ka dhënë shteti vetëm edhe pak ditë, pasi që ligjit i kalon validiteti më 2 shtator 2016.
Hoxha iu bënë thirrje të gjithë tatimpaguesve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
“Në Administratën Tatimore, deri më tani kemi pranuar afër 8 000 kërkesa për përfshirjen në programin e faljes së borxheve… Shumica e këtyre kërkesave deri më tani janë trajtuar. Kështu që ne presim që edhe këto ditë të pranojmë kërkesa në mënyrë që sa më shumë tatimpagues, qytetarë të përfitojnë në emër të këtij ligji… Deri më tani në tërësi i kemi falur rreth 105 milionë euro, mirëpo këto falje që janë realizuar deri më tani janë në disa kategori. Kemi kategorinë e subjektit që janë falë borxhet, që kanë pasur deri në 100 euro, që do të thotë që faljet janë bërë në mënyrë automatike. Në këtë kategori bëjnë pjesë mbi 21 000 tatimpagues që janë përfshirë nga kjo falje”.
“Mandej kemi falje që janë realizuar përmes kërkesave të tatimpaguesve me pagesa të menjëhershme dhe me përfshirjen e marrëveshjes me këste. Numri i tatimpaguesve që janë trajtuar sipas këtij kriteri është 1 953 tatimpagues gjatë vitit 2015, ndërsa gjatë vitit 2016 janë 5 531 tatimpagues, që në total janë 7 484”.
“Njëkohësisht kemi edhe një kategori tjetër që është trajtuar dhe vazhdon të trajtohet, kemi të bëjmë me subjektet që kanë borxhe prej vitit 2000 deri në 2008, por me kusht që nuk kanë borxhe në periudhën 2009-2014. Ligji i Administratës Tatimore, i konsideron të pambledhshme borxhet që kanë një periudhë më shumë se gjashtë vite, por njëkohësisht në këtë kategori bëjnë pjesë disa tatimpagues me specifika të veçanta. Kemi biznese që kanë ushtruar veprimtarinë nga viti 2000-2008, janë pronarët shtetas të huaj dhe kanë ndërpre aktivitetin nuk gjinden këtu, kështu që edhe kjo kategori trajtohet me automatizëm”.
Ai ka thënë se ATK-ja, që nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura siç kërkohen me këtë ligj dhe udhëzimin përkatës administrativ, duke emëruar edhe komisionin e ankesave brenda ATK-së.
“Ky komision ka qenë aktiv gjatë gjithë kohës dhe iu është përgjigjur të gjitha ankesave të tatimpaguesve të cilët për shkaqe të ndryshme nuk kanë mundur të përfshihen në listën e parë që e kemi publikuar. Për t’iu dalë në ndihmë të gjithë tatimpaguesve kemi angazhuar staf shtesë me kontratë në vepër rreth 60 zyrtarë të cilët për momentin janë në marrëdhënie pune me Administratën Tatimore”, ka thënë.
Sa i përket shtyrjes së afatit për faljen e borxheve, Hoxha ka theksuar se përderisa nuk ka ndonjë informatë zyrtare për shtyrje, 2 shtatori është afati i fundit.
“Aktualisht ne si afat të fundit kemi datën 2 shtator 2016. Deri më tani nuk kemi ndonjë informatë zyrtare për shtyrjen e afatit. Përderisa nuk kemi ndonjë dokument zyrtar, atëherë ne e konsiderojmë datën 2 shtator si afat të fundit të validitetit të këtij ligji”, ka thënë Hoxha.