Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton se Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës, në bashkëpunim me Departamentin e Lojërave të Fatit dhe në asistim të Policisë së Kosovës, dje ka zhvilluar një kontroll (bastisje) tek një subjekt i lojërave të fatit në Prishtinë, ku sipas informacioneve fillestare është dyshuar se ka të bëjë me shmangie tatimore (deklarime të rrejshme).
Administrata Tatimore e Kosovës ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me prokurorin kujdestar dhe të gjitha veprimet ligjore janë ndërmarre sipas udhëzimeve të prokurorit kujdestar.
“Në vendngjarje gjatë kontrollimit të lokacionit janë gjetur para të gatshme (cash) në vlerë prej 44 370 85 euro, para të cilat nuk janë përputhur me deklarimet që janë bërë për ATK-në. Pra, deklarimet kanë qenë shumë më të vogla se sa paraja e gjetur në lokacion”.
“Si rezultat i këtij aksioni janë sekuestruar karte monedha në vlerë 38 230 00 euro, monedha metalike në vlerë 6 140 85 euro, dy laptopë, fletore të punës (me të dhëna të pazareve ditore), dy usb disck, si dhe dokumentacione tjera”, njofton ATK-ja.
Shuma e parave mbetet e sekuestruar, deri në verifikimin se a ka pasur shmangie nga tatimi.