Atmosferë e jashtëzakonshme në sheshet e Prishtinës – 28 Nëntori festohet me tupanë e me valle

Prishtinë | 28 Nën 2024 | 15:15 | Nga Furtuna Zejnullahu

Ndonëse 28 Nëntori nuk është festë zyrtare në kalendarin vjetor të institucioneve, kjo ditë është vendosur si ditë pushimi. Për këtë festë, burra, gra dhe fëmijë po shijojnë diellin e kësaj dite të veshur me simbole kombëtare e duke dëgjuar këngë patriotike, ndërsa nuk munguan as vallet me tupanë, raporton Ekonomia Online.

Sheshet kryesore të Kryeqytetit, për nderë të Pavarësisë së Shqipërisë, u stolisën me flamuj kombëtar kuq e zi dhe me ata të Republikës së Kosovës.

Ardian Latifi ka thënë se për këtë festë ka ardhur enkas nga Gjermania. Ani pse i rritur jashtë vendit, ai tha se dashuria për atdheun ka qenë gjithmonë në qendër të jetës së tij. Ai e cilësoi ngritjen e flamurit si festën më të rëndësishme kombëtare, duke theksuar rëndësinë e saj.

“Festa më e rëndësishme, kur u ngrit flamuri për neve, është festë kombëtare. Jetoj në Gjermani. Unë jam lind dhe jam rrit në Gjermani, gjithmonë e kam pasur në fokus edhe e dinë njerëzit që çfarë dashurie kam për atdheun. Duhet me dashtë atdheun është një send që thelbi është që na ka mbajtur deri sot këtu ku jemi është krenaria jonë sepse jemi atdhetarë”, tha Latifi.

Një qytetar tjetër, i veshur me veshje tradicionale, tha se traditat shqiptare kanë mbetur të njëjta si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, veçanërisht në festat kombëtare. Megjithatë, ai shprehu pakënaqësi edhe krerëve institucional në Kosovë e Shqipëri.

“Traditat shqiptare si në Shqipëri, si këtu me mbet njëjtë edhe në ditën e flamurit këtu edhe atje, por dashtë Zoti edhe ne shkojmë veç përpara e dashtë Zoti udhëheqësin tonë i bjen në mend pak se kanë luajtur krejt”.

Por dikush tjetër konsideron se traditat shqiptare rrezikojnë të humbin.

“Në përgjithësi po humbin traditat por disa më kryesoret, këto ditët ndërkombëtare, flamurit, pavarësisë, edhe dasmat janë bërë si në perëndim si tek ne”.

Të ngjashme