Audioincizimet zbulojnë se Biden kishte vështirësi me kujtesën

Prishtinë | 28 Kor 2026 | 11:01 | Nga Ekonomia Online

Regjistrimet audio të publikuara të hënën nga Oversight Project, një organizatë e krahut të djathtë, të bisedave të ish-presidentit Joe Biden me biografin e tij, Mark Lewis Zwonitzer, duket se mbështesin atë që ish-këshilltari special Robert Hur konstatoi në raportin e tij të vitit 2024: se Biden zbuloi materiale të klasifikuara, kishte probleme me kujtesën dhe vazhdoi të mbante materiale të klasifikuara edhe pasi u largua nga posti i zëvendëspresidentit, raporton CNN.

Në regjistrimet audio, Biden dëgjohet duke folur pa shumë kujdes për shënimet që kishte ruajtur nga koha kur ishte zëvendëspresident, ndërsa ia tregonte ato Zwonitzerit.

“Ata as që e dinin se e kisha këtë”, tha Biden, ndërsa me sa duket po i tregonte ghostwriter-it shënimet e tij të vjetra si referencë gjatë diskutimit për çështje të supozuara të klasifikuara të politikës së jashtme nga periudha kur ishte zëvendëspresident. Informacioni mbetet i redaktuar në regjistrimet audio.

Regjistrimet u publikuan nga Oversight Project, një degë e fondacionit konservator Heritage Foundation, i cili ka fituar një padi kundër Departamentit të Drejtësisë për t’i bërë ato publike. Biden ka luftuar kundër publikimit, por pa sukses, duke vendosur në fund të tërhiqej nga sfida ligjore të hënën.

Një përfaqësues i Biden refuzoi të komentojë specifikisht për publikimin e autioincizimeve të hënën, por zëdhënësi i tij TJ Ducklo tha në një deklaratë javën e kaluar: “Bisedat e Presidentit Biden për një libër një dekadë më parë, në të cilat diskutohej për djalin e tij të ndjerë, janë private dhe iu dorëzuan Departamentit të Drejtësisë me kushtin e shprehur që të mbeteshin të tilla. Ndryshimi i qëndrimit dhe bërja e tyre publike është vetëm shembulli më i fundit i përdorimit të Departamentit të Drejtësisë nga kjo administratë për hakmarrje politike”.

Në disa raste në regjistrimet audio, Biden ka vështirësi të kujtojë data dhe informacione gjatë intervistave me ghostwriter-in. Në raportin e Hur, Biden përshkruhet si një burrë i moshuar “me kujtesë të dobët”.

Hur vendosi përfundimisht të mos ngrinte çështje penale ndaj Biden, pjesërisht për shkak të bashkëpunimit të tij, që mbështeste idenë se ai nuk e kishte shkelur ligjin qëllimisht, por gabimisht. Megjithatë, kujtesa e dobët dhe mosha e shtyrë e Biden ndikuan gjithashtu në vendim dhe në mënyrën se si një juri mund t’i përgjigjej një ndjekjeje të tillë penale.

“Që nga marsi i vitit 2024, Oversight Project dhe Heritage Foundation luftuan pa u ndalur për t’i nxjerrë këto regjistrime në dritë”, tha grupi në një deklaratë të hënën. “Së bashku, ne mposhtëm si Departamentin e Drejtësisë të drejtuar nga Biden ashtu edhe avokatët e tij privatë me tarifa të larta. Këto regjistrime që po publikojmë sot duhej të ishin bërë publike shumë kohë më parë”.

Biden diskutoi gjithashtu me ndihmësit e tij për disa nga sfidat që do t’i kishte si kandidat për president dhe njëri prej tyre ia përmendi gafat si një nga pengesat që do t’i duhej t’i kapërcente.

“Çështja e gafave është si virus. Është në gjendje të fjetur; kur ta bësh sërish një gabim, ata do ta rikthejnë në vëmendje”, tha Biden, duke u dukur sikur po lexonte nga shënimet e tij.

“Nuk mund ta lexoj shkrimin tim”, tha ish-presidenti në një moment.

Të ngjashme