“Thellësisht zhgënjyes”, Franca kritikon ashpër propozimin e ri për buxhetin afatgjatë të BE-së

Prishtinë | 21 Nën 2026 | 14:36 | Nga Ekonomia Online

Presidenca franceze e ka cilësuar si “thellësisht zhgënjyes” propozimin e fundit për buxhetin e ardhshëm afatgjatë të Bashkimit Evropian.

Në një deklaratë të publikuar të shtunën, Franca ka shprehur pakënaqësi me planin e propozuar, duke theksuar se ai nuk i përmbush nevojat, veçanërisht sa i përket Politikës së Përbashkët Bujqësore dhe mbështetjes financiare për fermerët.

“Ky propozim është shumë larg asaj që nevojitet, veçanërisht për Politikën e Përbashkët Bujqësore, sidomos për të garantuar mbështetjen e të ardhurave të fermerëve”, thuhet në deklaratën e presidencës franceze.

Më tej, Franca ka theksuar se propozimi i paraqitur nga presidenti i Këshillit Evropian, në formën aktuale, nuk krijon bazë për arritjen e një marrëveshjeje.

Sipas Reuters, buxheti i Bashkimit Evropian përcakton financimin e politikave të 27 vendeve anëtare, duke përfshirë mbështetjen për fermerët, zhvillimin e teknologjive të reja, industrinë dhe kërkimin shkencor.

Këto investime konsiderohen të rëndësishme edhe për përballimin e konkurrencës ekonomike nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të ngjashme