Provokim? – Raketa ruse godet Poloninë, reagon kryeministri polak

Prishtinë | 20 Nën 2026 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Një raketë ruse ka goditur territorin e Polonisë, ndërsa dy objekte të tjera kanë shkelur hapësirën ajrore të këtij vendi të premten në orët e hershme të mëngjesit. Kryeministri polak, Donald Tusk, ka deklaruar se incidenti nuk duket të ketë qenë aksidental.

Sipas autoriteteve polake, raketa e lundrimit ka rënë në një zonë rurale në Nowy Lipowiec, në juglindje të Polonisë, rreth 50 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Sipas BBC, ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:30. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme materiale.

Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, ka bërë të ditur se një tjetër raketë e dyshuar ka rënë pranë Rudnik nad Sanem, ndërsa një dron me motor reaktiv është rrëzuar në jug, afër Mołodycz.

Ai e ka cilësuar shkeljen e hapësirës ajrore polake si provokim nga Rusia dhe ka paralajmëruar se do të kërkojë mbështetje shtesë nga NATO.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka dënuar shkeljet e rënda të hapësirës ajrore polake, duke bërë të ditur se avionët luftarakë të Aleancës janë ngritur në ajër si përgjigje ndaj incidentit.

“Ky incident është qartazi i rrezikshëm dhe është pasojë e luftës së vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës”, ka deklaruar Rutte.

Ndërkohë, kryeministri polak, Donald Tusk, ka vënë në pikëpyetje rastësinë e incidentit, pasi në juglindje të vendit po zhvillohet stërvitja ushtarake ndërkombëtare “Koalicja 2026”, e udhëhequr nga Britania e Madhe dhe Franca, me pjesëmarrjen e 11 shteteve.

“Nuk është rastësi që këto objekte ranë pranë vendit ku po zhvillohen manovrat ushtarake të koalicionit të vendeve të gatshme, me mbështetjen e trupave polake, në Nowa Dęba”, ka thënë Tusk.

Të ngjashme