Shesheli merret në pyetje në Beograd për deklaratat se politikania nga Kosova mund të vritet

Prishtinë | 20 Nën 2026 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel, ka dhënë deklaratë në Policinë e Beogradit lidhur me paralajmërimet e tij se politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, mund të vritet.

Shesheli ka deklaruar se është paraqitur të premten në Drejtorinë e Policisë së Beogradit, me kërkesë të Prokurorisë së Parë Themelore, për shkak të deklaratave që kishte bërë gjatë një emisioni televiziv, raporton agjencia Beta.

Më 12 nëntor, gjatë emisionit “Novo jutro”, ai i kishte bërë thirrje Trajkoviqit të hiqte dorë nga bashkëpunimi me autoritetet shqiptare, duke pretenduar se ato mund ta vrisnin dhe më pas përgjegjësinë t’ia atribuonin palës serbe.

Në një paraqitje në televizionin Informer, Shesheli ka shpjeguar se deklaratat i kishte bërë teksa paraqiste pretendimin e tij se Oliver Ivanoviqi ishte vrarë nga pala shqiptare për t’ia atribuuar krimin palës serbe.

Ai kishte pretenduar se edhe Trajkoviqi mund të pësonte një fat të ngjashëm.

“Kur e shfrytëzojnë ndonjë serb dhe nuk arrijnë me të qëllimet që kanë planifikuar, (shqiptarët) e likuidojnë për t’ia atribuuar këtë palës serbe. Nuk kam pasur asnjë qëllim ta rrezikoj Rada Trajkoviqin, ajo prej kohësh nuk ka asnjë rol politik dhe fjalët e mia mund t’i kuptojë vetëm si paralajmërim që të heqë dorë nga bashkëpunimi me pushtetarët (shqiptarë) dhe të mbajë anën e Beogradit. Sipas informacioneve të mia, ajo jeton në Beograd”, ka deklaruar Shesheli.

Ai ka shtuar se ka mendimin më të keq të mundshëm për Trajkoviqin, por ka mohuar se dëshiron vdekjen e saj.

Deklaratat e Sheshelit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit mbeten pretendime të tij të pavërtetuara.

Ivanoviqi, kryetar i Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”, u vra më 16 janar 2018 para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Ai u qëllua disa herë me armë zjarri dhe ndërroi jetë në spitalin e Mitrovicës së Veriut.

Autorët e drejtpërdrejtë dhe urdhërdhënësit e vrasjes nuk janë identifikuar zyrtarisht.

Në qershor 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi në shkallë të parë 4 të akuzuar me gjithsej mbi 22 vjet burgim për përfshirje në veprime që lidhen me vrasjen e Ivanoviqit, ndërsa 2 të akuzuar të tjerë u liruan nga akuzat.

Të ngjashme