Auditimi evidenton keqpërdorime e shkelje, Zyra e Kryeministrit zotohet të ndërmarrë masa

Prishtinë | 22 Shk 2019 | 11:03 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin e Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Zyrës së Kryeministrit, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Komisionit, Driton Selmanaj, tha se janë evidentuar një sërë shkeljesh në raportin vjetor të Auditorit.

Ai tha se bëhet fjalë për keqpërdorime në kategori të ndryshme, duke përmendur edhe punësimet në Agjencinë e Veterinës pa respektuar rregullat e rekrutimit.

“Në këtë raport ne kemi pa keqpërdorime në kategori të ndryshme, keqpërdorim të mjeteve. Ka punësime në Agjencinë e Veterinës pa respektuar rregullat e rekrutimit; raportimi i dobët për subvencione’ mosrespektimi i marrëveshjes më komuna të ndryshme. Çështje tjetër janë pagesat e dyfishta për fermerët në rastet e sëmundjes gungore të kafshëve. Ka pasur parregullsi në këto raste. Ka mangësi në dhënien e llogarisë për subvencione. Këto janë disa të gjetura nga raportimi i ZKA-së”, tha Selmanaj, raporton Ekonomia Online.

Fitim Krasniqi nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës tha se e kanë parë raportin dhe se do të ndërmarrin masa.

“Kemi marrë të gjitha masat pas raportimit. Zyra e Kryeministrit bëhet nga shumë agjencione dhe kanë pavarësi të financave. Pas miratimit të planit të veprimit ne e kemi adresuar te komisioni. Lidhur me raportin çka ka të bëjë direkt më Zyrën e Kryeministrit, ne kemi dy rekomandime dhe ka qenë një gabim teknik. Ne si zyre kemi shumë agjenci dhe shumica prej tyre nuk menaxhohen nga ne, por do të ndërmarrim masa”, tha Krasniqi.

E drejtori i AVUK-ut, Valdet Gjinovci, tha se i kanë ndërmarrë të gjitha masat pas raportit të Auditimit për shpenzime.

“Lidhur më klasifikimin e mjeteve është proces që na ka përcjell që nga 2007, por tash kjo është zgjidhur dhe të gjitha mjetet janë orientuar në sektorët përkatëse. Prej këtij viti nuk do të realizohen pagesat te fermerët ashtu qysh janë bërë deri tash. Lidhur me kontratat me shërbime të veçanta tashmë kemi ndërprerë dhe nuk ekziston asnjë kontratë e tillë.  Agjencia e Ushqimit ka marr veprime dhe kanë realizuar kthimin e mjeteve të fermerët”, tha Gjinovci.

Të ngjashme