Raporti i Auditimit të Performancës “Sistemi i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës” ka gjetur se mangësitë e identifikuara në këtë sistem, që në import menaxhohet nga Dogana e Kosovës dhe në tregun e brendshëm nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e vejnë në pikëpyetje kompetencën dhe besueshmërinë e marrjes së mostrave dhe testimit të tyre, prandaj si i tillë ky sistem nuk është në gjendje të sigurojë cilësi të derivateve të naftës për qytetarët e Kosovës.
Mangësitë në import përfshijnë mungesën e raporteve të testimit laboratorik dhe informatave të plota për Trupat Inspektuese në sistem, pamundësinë e identifikimit të Trupave Inspektuese në raste të caktuara, mungesën e akreditimit të Laboratorit të Doganës, si dhe numrin e ulët të parametrave të testuar.
Tregu i brendshëm është karakterizuar nga mangësi që kanë të bëjnë me monitorimin jo adekuat të procesit të akreditimit, shkelje të kërkesave të autorizimit nga Laboratorët dhe funksionime pa autorizim të Trupave Inspektuese në periudha të caktuara (si rezultat i mungesës së monitorimit të autorizimeve), mos përcaktim të kontrolleve në bazë të analizës së riskut, mungesë të testimeve për rezultate krahasuese, mungesë të testimit të një numri të konsiderueshëm të parametrave, etj.
Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm, lidhur me këtë raport është shprehur se: “Cilësia e derivateve të naftës është e pasigurte si pasojë e mangësive të shumta në sistemin e kontrollit dhe monitorimit. Shqetësues është fakti që në import dhe në tregun e brendshëm aktualisht testohet një numër tejet i vogël i parametrave të cilësisë si dhe mungesa e ndërmarrjes së masave në treg të brendshëm ndaj derivateve që rezultojnë jo konforme për ti larguar ato nga pikat e shitjes.”
Cilësia e dobët e derivateve të naftës përveç që kontribuon në ndotjen e ajrit, ka ndikim edhe në performancën e automjeteve. Kontrollet adekuate janë të rëndësishme për të siguruar që derivatet e naftës përmbushin të gjitha specifikimet dhe standardet e kërkuara.
Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, respektivisht Dogana e Kosovës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, të shtojnë përpjekjet e tyre për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për të siguruar cilësinë e derivateve të naftës në import dhe në treg të brendshëm. Përmirësimi i mangësive të identifikuara, do të ndihmoj në identifikimin e masave konkrete që duhet të ndërmirren për të përmirësuar cilësinë e derivateve të naftës në vend.
Raportin e plotë mund ta lexoni këtë vegzë.