Zyra e Auditorit në një raport të publikuar ditë më parë ka konstatuar se Kosova ka blerë për 490 mijë euro më shtrenjtë sesa çmimi real aparatin e angiografisë, i cili trajton sëmundjet e zemrës.
Ky aparat përdoret për ekzaminime radiologjike të enëve të gjakut për t’i parë ndryshimet e mundshme patologjike, si: aneurizmat, ngushtimet e ndryshme nga arteriosklerozat, trombet dhe embolat.
Angiografia është blerë në vlerën prej 2 milionë e 600 mijë euro, ndërsa pavarësisht që konsiderohet se është blerë gati gjysmë milioni më shtrenjtë ai ende nuk është sjellë në Kosovë, ndonëse marrëveshja për blerjen e tij ishte bërë në fund të vitit 2015, vonesë kjo si pasojë e mosadaptimit të hapësirës për vendosjen e pajisjes sipas standardeve të kërkuara.
“Marrëveshja ishte për 490,000 euro më e lartë sesa çmimi blerës i kësaj pajisjeje. Kjo vlerë ishte parashikuar për konsulencë pas adoptimit të pajisjes. Kjo kishte shkaktuar shpenzime shtesë si tarifë menaxhimi 10 për vlerë 2,450 euro, si dhe tarifë zotimi në vlerë 1,336 euro për shkak të vonesës në tërheqjen e mjeteve për këtë marrëveshje”, thuhet në raport.
Sipas këtij raporti, në analizën e bërë nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) në mungesë të kësaj aparature e cila trajton sëmundjet e kardiologjisë, MSH-ja përafërsisht paguan 5,000,000 euro në vit për trajtimin e pacientëve në spitalet e ndryshme të cilat i kryejnë këto shërbime.
Ministria e Shëndetësisë nuk pranon se aparati i angiografisë është blerë për gati gjysmë milioni më shtrenjtë.