Austria dhe Kosova janë dy shtete me dy histori të ndryshme, por me disa stacione të përbashkëta historike dhe politike. E para feston 100-vjetorin e themelimit si republikë, ndërsa e dyta të 10-tin. Për të dyja vendet ky është një vit pa dyshim i festës dhe i gëzimit. Por të dyja shtetet kaluan nëpër periudha të ndryshme historike, ngjarje tragjike e procese jo të lehta politike.
1918 paraqet vitin e krijimit të Republikës Gjermane Austriake dhe rënien e Perandorisë Austro-Hungareze, ndërsa për Kosovën vazhdimin e qëndrimit të saj nën dominimin serb pas krijimit të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, shkruan sot Faruk Ajeti dhe Konrad Clewing në Koha Ditore.
Derisa qytetarët e Austrisë së vitit 1918 ballafaqoheshin me shumë vështirësi të pasluftës, sikurse edhe në politikë me elemente të vetëdyshimit (sipas sloganit të “një shteti, të cilin askush nuk e donte”; ku Republika Gjermane Austriake e vitit 1918 me dëshirë ishte deklaruar për bashkim me Republikën Gjermane, qe penguar nga aleatët fitues), ndërsa qytetarëve të Kosovës, po t’ju jepej mundësia, me shumë gjasa do të vendosnin pikërisht, atë që pas 90 vjetëve iu realizua ëndrra.