Autostrada Dheu i Bardhë-Gjilan-Prishtinë drejt bashkimit kombëtar

Gjilan | 14 Shk 2017 | 16:31 | Nga

Një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve i kryesuar nga kryetari Agim Shahini, kanë takuar kryetarin e Komunës së Gjilanit Lutfi Hazirin, me të cilin kanë biseduar lidhur me mundësitë e bashkëpunimit sidomos nga fusha ekonomike.

Agim Shahini, njoftoi kryetarin e Gjilanit lidhur me funksionimin e AKB-së, e cila pos funksionimit në Kosovë, ka zyrën e saj funksionale edhe në Linz të Austrisë dhe së shpejti do të ketë edhe në Milano të Italisë, Gjenevë të Zvicrës dhe shtete tjera.

“Ne po vazhdojmë pa reshtur misionin tonë në vetëdijesimin e konsumimit dhe fuqizimit të prodhimeve vendëse, ku edhe kemi shënuar rezultate të prekshme dhe ky mision nuk do të ndalet”, tha kryetari i AKB-së.

Ai tregoi se ka investitorë të huaj të interesuar për investime sidomos në infrastrukturën rrugore, atë të ujërave të zeza, kanalizimeve e të tjera, nga të cilat projekte mund të përfitoi Komuna e Gjilanit.

“Ndërtimi i autostradës Dheu i Bardhë- Gjilan- Prishtinë, ka rëndësi të madhe jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe në lëvizjen e qytetarëve andej e këndej kufirit e më gjerë e cila dërgon drejt bashkimit kombëtar”, tha Shahini. Sipas tij çështjet politike kanë ngulfatur edhe ekonominë.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit, tha se kanë krijuar lehtësira për bizneset e sidomos ato prodhuese. Zero janë taksat për regjistrim biznesi, ndërsa problem mbetet mungesa e pronës të cilën po e kërkojnë bizneset për veprimtari të ndryshme.

“Gjilani, ka kompani prodhuese të suksesshme e po ashtu edhe ato të ndërtimit të cilat kanë marrë hovë dhe sipas hulumtimeve Gjilani ka nevojë që të vazhdoi me ndërtime të larta banimi edhe për dhjetë vjet”, tha Haziri.

Ai tregoi se së shpejti do të nisë ndërtimi i autostradës Dheu i Bardhë- Gjilan- Prishtinë 62 kilometra. Shpronësimi është në proces dhe brenda muajit do të hapet tenderi.

Kryetari tregoi se në maj do të nisë edhe zgjerimi me katër korsi i rrugës nga qyteti deri në Bresalc te Gllama dhe nga qyteti deri në Kllokot.

Kryetari i Gjilanit premtoi edhe lehtësira të tjera për biznesin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme