AUV me aksion kundër therjes së kafshëve në tregun joformal – Peci: S’do të lejojmë të rrezikohet shëndeti i qytetarëve

Prishtinë | 09 Maj 2023 | 09:10 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, i shoqëruar nga drejtori i Agjencisë dhe Veterinarisë (AUV), Flamur Kadriu, mëngjesin e së martës e kanë inspektuar tregun ilegal të kafshëve e shpezëve në lagjen Kodra e Trimave në kryeqytet, raporton Ekonomia Online.

Ministri Peci tha se ky aksion ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, duke shtuar se nuk do të lejojnë operimin e tregjeve të tilla.

Ai më tej ka shtuar se është përgjegjësi e komunës që të gjejë vendin adekuat për këtë aktivitet, në mënyrë që e gjithë veprimtaria të kryhet në bazë të standardeve të kërkuara.

Peci shtoi se e kupton që për tregtarët kjo është çështje e  mbijetesës, por theksoi se veprimtaria bie ndesh me ligjet dhe rrezikon shëndetin e qytetarëve.

“Tregtimin e kafshëve dhe shpezëve tregtarët e kanë çështje të mbijetesës, mirëpo çështja tjetër nuk është e panjohur për neve si institucione, ne e kemi detyrim që të implementojmë pakon e ligjeve të miratuara në Kuvend. Në kuadër të kësaj nuk mund të lejohet operimi i tregjeve ilegale, qoftë për kafshët qoftë për shpezët, aq më tepër që qytetarët paraqesin një mënyrë jo të lakmueshme te shpezëve dhe kafshëve. Ne jemi të përkushtuar që të parandalojmë këto aktivitet që bien në kundërshtim me ligjin e shëndetin e qytetarëve”.

“Në një video që e kam parë tregon se shpezët në këtë hapësirë theren në mënyrë të shëmtuar. Kjo veprimtari duhet të shkojë në mënyrë legale dhe në kushte higjienike dhe sanitare që është në përputhje me standardet, aq më tepër kur sot është Dita e Evropës. Edhe shitja është në kundërshtim e lëre më therja”.

“Këta persona duhet t’i drejtohen Komunës që të përcaktojë lokacionin dhe të ndërtojë tregun, ndërsa AUV e shikon gjendjen. E therja duhet të bëhet në thertore. Duhet t’i vijë fundit kësaj veprimtarie ilegale e të rrezikshme për shëndetin e njeriut”.

Ai pati një thirrje për institucionet e nivelit komunal, që ta kenë udhërrëfyes interesin publik dhe të krijojmë kushtet në përputhje me standardet evropiane.

Ndërsa drejtori i Agjencisë dhe Veterinarisë (AUV), Flamur Kadriu, tha se arsyeja që ndalohet ky aktivitet, është për shkak të rrezikut të përhapjes së ndonjë sëmundjeje.

Ne kemi ankesa të konsumatorëve çdo ditë, të cilat ka aktivitete që nuk janë të ligjshme. Therja dhe shitja e kafshëve në vendet e paautorizuara nuk është e lejuar. Ne i kuptojmë edhe bizneset e vogla të cilat e kanë mënyrën të përfitimit ose të mbijetesës, mirëpo mandati i Agjencisë është ta mbrojë shëndetin publik dhe një aktivitet i tillë ne nuk mundemi ta lejojmë, pa marrë parasysh si është gjendja ekonomike e qytetarëve. Legjislacioni që e ndalon një aktivitet të tillë është se sëmundjet mund të barten nga kafshët tek njeriu dhe mund të shkaktojnë probleme të mëdha”, u shpreh ai.

Shitësit u ankuan se Komuna e Prishtinës nuk ka caktuar ose ndërtuar ndonjë lokacion ku do të mund të bëhej therja e kafshëve dhe shpezëve sipas rregullave dhe në mënyrë legale. Pas inspektimit 3 kamionë u larguan nga vendi ku po shisnin pula.

Të dielën, Peci ka inspektuar edhe tregun në Zonën Industriale, prej nga ka kërkuar që në këtë hapësirë të plotësohen kushtet elementare të tregtimit.

Të ngjashme