Avokati Feim Alaj ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës për rastin e Edmond Lajqit, duke thënë se ndryshimi i dënimit me burgim të përjetshëm nuk përbën për të “fitore personale” dhe as arsye për festë.
Në një deklaratë për media, Alaj ka theksuar se rasti është një tragjedi me pasoja të rënda njerëzore dhe se vendimi i Supremes duhet të shihet si rezultat i zbatimit të drejtë të ligjit.
“Vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës, me të cilin është ndryshuar dënimi me burgim të përjetshëm, për mua nuk paraqet fitore personale dhe as arsye për festë. Përkundrazi, ky është një rast tragjik që ka lënë pasoja të rënda dhe dhimbje të madhe njerëzore”, ka deklaruar Alaj.
Ai ka thënë se nëse vendimi shihet si sukses profesional, meritat nuk ia atribuon vetes, por sistemit gjyqësor dhe veçanërisht Gjykatës Supreme.
“Nëse dikush këtë vendim e konsideron sukses profesional, unë nuk ia dedikoj vetes. Ia dedikoj sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës, e veçanërisht Gjykatës Supreme, e cila dëshmoi se drejtësia duhet të mbështetet në ligj, në vlerësimin e drejtë të rrethanave dhe në vendime të arsyetuara”, ka thënë avokati.
Alaj ka shprehur respekt për të gjithë zyrtarët e përfshirë në trajtimin e këtij rasti, përfshirë hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët.
“Po ashtu dua të shpreh respekt për hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët e të gjitha niveleve që janë marrë me këtë rast. Jam i bindur se askush prej tyre nuk e ka pasur të lehtë dhe se kjo lëndë do t’u mbetet gjatë në kujtesë, ashtu siç do të mbetet edhe tek unë”, është shprehur ai.
Avokati ka thënë se nuk dëshiron të identifikohet si përfaqësues ligjor që ka “fituar” nga një tragjedi familjare, duke theksuar se pas çdo rasti penal qëndrojnë njerëz dhe familje të prekura.
“Nuk dëshiroj të identifikohem si ‘avokati i suksesshëm’ i një tragjedie familjare. Pas çdo dosjeje penale ka jetë njerëzish, fëmijë dhe familje që do ta bartin këtë dhimbje për gjithë jetën. Roli im si avokat ka qenë vetëm të siguroj që ligji të zbatohet drejt dhe që të drejtat e garantuara me Kushtetutë të respektohen”, ka deklaruar Alaj.
Sipas tij, rasti duhet të shërbejë si kujtesë se nga tragjeditë familjare nuk përfiton askush dhe se drejtësia duhet të udhëhiqet nga ligji dhe profesionalizmi.
“Ky rast duhet të na kujtojë se askush nuk fiton nga tragjeditë familjare. Fiton vetëm drejtësia kur ligji zbatohet drejt, pa paragjykime dhe me profesionalizëm”, ka thënë ai.
Alaj ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës dhe ka uruar që raste të tilla të mos përsëriten.
“Në fund, shpreh edhe një herë ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen e viktimës dhe shpresoj që raste të tilla të mos përsëriten më kurrë në shoqërinë tonë”, ka shtuar avokati Feim Alaj.