Avokati i gjinekologut Premtim Gojani – që u plagos gati dy javë më parë nga ish-dhëndri i tij – Arianit Koci ka hedhur poshtë pohimet se i dyshuari Faton Fetiu provoi të vrasë vëllain e ish-gruas për shkak të një kontesti pasuror të trashëguar.
Sipas Kocit, personi që u dorëzua pasi shkrepi tre plumba në drejtim të mjekut kosovar, para shtëpisë së tij, veprën e ka kryer vetëm për shkak se është kriminel dhe e ka paramenduar.
“I pandehuri e ka kryer këtë vepër të rëndë penale, për shkak se është kriminel, e jo për shkak se ka pasur ndonjë mosmarrëveshje rreth pasurisë apo trashëgimisë. Ai këtë veprim e ka planifikuar në herët dhe dashja e tij ka qenë vrasja e vëllait të gruas – Dr. Premtim Gojanit”, ka thënë Koci.
“Planin diabolik nuk e ka realizuar, jo pse nuk ka dashur, por pse nuk ka mundur. Fatoni ka shkrepur tre plumba në trupin e viktimës: një jë kokë dhe dy në pjesën abdominale”, ka shtuar avokati.
Tutje ai ka sqaruar se trashëgimia e cila u pretendua se ka qenë shkas i gjithë ngjarës që pasoi me plagosjen e Premtim Gojanit, është e nënës së gjinekologut dhe ish-gruas së të të dyshuarit, dhe se pas ndarës së këtij të fundit me motrën e Gojanit nuk ka se si ti takojë asnjë pjesë ë saj.
“Sa i përket trashëgimisë, motrat e Dr. Premtimit, ku bën pjesë edhe ish-gruaja e kryesit tē kësaj vepre, kanë hequr dorë nga pasuria në dobi të nënës së tyre, dhe pastaj nëna ia ka lënë pasurinë djalit të saj Dr. Premtim Gojanit”, sqaron avokati Arianit Koci.
“Sidoqoftë, pasuria e trashëguar, është pasuri individuale dhe nuk i nënshtrohet rregullave të ndarjes së pasurisë me rastin e shkurorëzimit. Bashkëshortëve iu takon në mënyrë të barabartë vetëm pasuria e krijuar gjatë jetës bashkëshortore”, shpjegon ai.
Ndryshe, pas plagosjes së mjekut Premtim Gojani, pranë shtëpisë së tij, Faton Fetiu, me prejardhje nga Gjakova, me nënshtetësi amerikane, është vetë dorëzuar në polici. Ngjarja kishte ndodhur mëngjesin e 13 shkurtit të këtij viti, në prani të vajzës së viktimës.
64-vjeçari Fetiu prej vitesh është i ndarë nga motra e gjinekologut. Ata janë prindër të disa fëmijëve që, po ashtu, jetojnë në SHBA.
Premtim Gojani kishte marrë plagë në kokë dhe brinjë, nga gjithsej tre plumba që i janë shkrepur.
Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes ka gjetur edhe një granatë dore e pashpërthyer, të cilën e kishte më vete i dyshuari. Granata ishte larguar nga njësiti i specializuar për çminim i Policisë. Burime brenda Policisë dhe Prokurorisë kanë treguar se kanë hapur edhe disa pista hetimi për Premtim Gojanin përfshirë edhe vepra të rënda penale që lidhen me të kaluarën e tij, raporton Express.