Avokati i Naser Pajazitajt: Dikush ka shtënë me armë afër shtëpisë, familja ndihet e kërcënuar

Prishtinë | 16 Maj 2023 | 18:48 | Nga Ekonomia Online

Ahmet Tahiri, avokat i Naser Pajazitajt, ka thënë se mbrëmë dikush ka shtënë me armë zjarri afër shtëpisë së familjes Pajazitaj.

Tahiri për Klankosova.tv ka deklaruar se rasti në fjalë është raportuar në Policinë e Kosovës, si dhe ka ftuar organet e drejtësisë që të merren me këtë gjë.

Ndër të tjera, avokati ka treguar se familja është shqetësuar nga zhvillimet që ndodhën mbrëmë rreth orës 02:00 pas mesnate.

“Familja është duke u ndjerë e frikësuar edhe e kërcënuar. Kjo është bërë pak ditë pasi Naser Pajazitaj është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Supreme për vrasjen e Donjeta Pajazitaj”, ka thënë Tahiri.

Megjithatë, avokati Tahiri nuk mund të thotë me siguri se rasti i mbrëmshëm ndërlidhet me atë të Donjeta Pajazitajt, por nuk e përjashton mundësinë.

“Nuk e di nëse rasti i sulmit ka të bëjë me vendimin e Supremes, por nuk mendoj se mund të ketë ndonjë arsye tjetër sepse Z. Pajazitaj nuk ka probleme me askënd”, ka pohuar Tahiri për Klankosova.tv.

Kujtojmë se më 2 maj të këtij viti, Gjykata Supreme e shpalli të pafajshëm Naser Pajazitajn për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Supremja tha se pajtohet në tërësi me aktgjykimin e shkallës së parë ku nuk rezultojnë të jenë kontestuese rrethanat objektive të rastit dhe atë se “e ndjera D. P., me datë 09.11.2015 kishte dalë nga shtëpia e saj për të shkuar në punë dhe të njëjtën datë edhe është zhdukur. Kufoma e saj ishte gjetur me datë 17.12.2015 në vendin e quajtur “Kroi i Lajthisë”, se e njëjta ishte privuar nga jeta duke u qëlluar dy herë në pjesën e kokës, me një revole të tipit të panjohur”.

“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, kontestuese janë rrethanat subjektive, përkatësisht fakti se a është kryerësi i veprës penale i pandehuri, dhe është pikërisht ky aspekt, që bëri dallimin mes interpretimit të bërë nga gjykata e shkallës së parë dhe të cilin konstatim e kishte pranuar edhe gjykata e shkallës së dytë në njërën anë dhe Gjykatës Supreme të Kosovës në anën tjetër”, është thënë në sqarimin e gjykatës.

Tutje, Gjykata Supreme ka deklaruar se në këtë çështje juridiko penale s’ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e të dënuarit Naser Pajazitaj, por sipas tyre, ka vetëm indice dhe se skema e ngjarjes është ndërtuar duke u bazuar në prova rrethanore, duke u ndërlidhur hallkat e zinxhirit të ngjarjes.

Ditë më parë Pajazitaj, ia kërkoi shtetit 1 milion euro si dëmshpërblim për qëndrimin e tij në burg për shtatë vjet e gjysmë.

Vëllai i Donjetës, Shkëlqimi, përmes telefonit për Klan Kosovën ditë më parë kishte thënë se për vendimin e Supremes do të ankohen këtë javë në Kushtetuese, derisa sipas tij dënimin me para duhet ta shlyejnë prokurorët që dështuan ta dëshmojnë fajësinë e Naser Pajazitajt.

Të ngjashme