Mungesa e arsyetimit për refuzimin e njohjes së statusit të personit të dhunuar gjatë luftës dhe vlerësimi i ankesave për mosnjohje nga organi i njëjtë janë dy prej çështjeve që janë duke u hetuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
Këtë hetim ky institucion e ka nisur pas dy ankesave që i ka pranuar lidhur me procesin e verifikimit të statusit të viktimave që ka nisur në shkurt të vitit të kaluar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Njëra prej ankesave, e cila është pranuar gjatë vitit të kaluar, ka të bëjë me formën e vendimit të refuzimit të njohjes së statusit nga ana e Komisionit për verifikimin e statusit të personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës.
“Ankesa e vitit 2018 ka të bëjë me formën e vendimit të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht për shkak të mungesës së pjesës së arsyetimit në Vendimin e Komisionit, me të cilin njihet apo refuzohet statusi i viktimës së dhunës seksuale”, thuhet në një përgjigje të Institucionit të Avokatit të Popullit.