8 Marsi i këtij viti e gjen Kosovën në vazhdën e përpjekjeve për të sfiduar pabarazitë gjinore, që kryesisht ndikojnë drejtpërdrejt në jetën dhe mirëqenien e vajzave dhe grave. Barazia gjinore përben një pjesë të pandashme të të drejtave të njeriut, të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e që vendos themelin e vlerave dhe parimeve të një shteti që respekton liritë dhe të drejtat e njeriut, thotë Avokati Popullit i Kosovës me një kumtesë të veten me rastin e kësaj feste, transmeton Koha.net.
Sipas tij, sot, gratë, ende diskriminohen në çështje të pronës dhe trashëgimisë, e po ashtu edhe në fushën e punësimit, duke mos qenë të barabarta në konkurrim, por edhe ne raport me kompensimin material, për punën e njejtë. Ky realitet, thellon edhe më tej, hendekun gjinor në paga, si dhe gjithashtu, vështirëson dhe ngadalëson fuqizimin ekonomik të grave në Kosovë. Papunësia mbetet më e shprehur tek gratë sesa tek burrat, ashtu siç edhe mundi i papaguar i grave, në kuadër të ekonomive familjare, vazhdon të përbëjë mungesë të vlerësimit të punës, si dhe minimizon kontributin e përgjithshëm ekonomik të grave.
Simbolika e kësaj date, shërben si një moment ideal, për të rikthyer vëmendjen e institucioneve tona, drejt zbatimit të Rezolutës për miratimin e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm të nxjerrë nga Kuvendi i Republikes së Kosovës, në janar të këtij viti. Përshpejtimi i zbatimit të Agjendës 2030, të aprovuar në Samitin e Kombeve te Bashkuara, kërkon angazhim të institucioneve edhe për avancimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave.
Ndonëse, Kushtetuta dhe ligjet në fuqi u garantojnë, si burrave, ashtu edhe grave, trajtim të barabartë, ajo çfarë mbetet sfiduese për institucionet dhe shoqërinë tonë, është luftimi i pabarazive dhe stereotipeve gjinore, të ndërtuara ndër vite, si dhe beteja për fuqizimin e vazhdueshëm të rolit dhe pozitës së gruas, deri në atë moment, kur të dy gjinitë, të mund të kenë dhe gëzojnë, mundësi realisht të barabarta, vazhdon kumtesa .
Përfaqësimi dhe angazhimi i gruas në sferën publike, edhe pse ka pësuar rritje gjatë dekadës së fundit, vazhdon të jetë ende larg parametrave të përcaktuara me miratimin e Ligjit të ri për Barazi Gjinore, i cili ka shfuqizuar të gjitha dispozitat që bien në kundërshtim me të. Rrjedhimisht, të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike janë të obliguara të garantojnë përfaqësimin e barabartë prej pesëdhjetë përqind, për secilën gjini, sipas masës së veçantë të paraparë ne nenin 6, paragrafi 8, të këtij Ligji.
Institucioni i Avokatit te Popullit, si mekanizëm shtetëror i barazisë, i mandatuar për mbrojtjen, mbikëqyrjen, dhe promovimin e të drejtave të njeriut, në vazhdimësi të respektimit të përpjekjeve të grave për barazi, paqe dhe drejtësi, në këtë ditë simbolike, kërkon nga të gjitha palët e përfshira, zbatim të plotë të parimeve kushtetuese dhe të të gjitha dispozitave tjera ligjore, për fuqizimin dhe trajtimin e barabartë të vajzave dhe grave, në të gjitha sferat e jetës, përfundon kumtesa .