Avokati Rudari kërkon dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarit e sulmit në Banjskë

Prishtinë | 15 Pri 2026 | 12:36 | Nga Ekonomia Online

Naim Rudari, avokati i zyrtarit policor të plagosur në sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, Alban Rashiti, ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarit, si dhe kompensim prej 1.5 milionë euro për dëmet e shkaktuara ndaj Rushitit, raporton Ekonomia Online.

Avokati Naim Rudari tha se i dëmtuari ka pësuar plagë të rënda trupore gjatë sulmit të organizuar ndaj Policisë së Kosovës.

“I nderuar trup gjykues, Alban Rashiti, një nga zyrtarët policorë pra, është zyrtar policor që nga viti 2019, i cili ka punuar në njësi të ndryshme dhe përfundimisht ai ishte caktuar në njësinë e specializuar për ndërhyrje të shpejtë quajtur NjNSH, dhe ishte transferuar në pjesën e Mitrovicës atje pra për të ndaluar kontrabandimin e mallrave të ndryshme dhe veprime kriminale siç kanë ndodhur kohët e fundit. Por siç dihet tani pra, me datë 23.09.2023, ai kishte filluar punën në orarin e rregullt dhe diku pas mesnatës, ku kishte hyrë data 24.09.2023, ai së bashku me disa kolegë në patrullim e sipër kishin vërejtur lëvizje të dyshimta dhe kur kanë shkuar afër fshatit Banjskë, kanë vërejtur dy kamionët të cilët ishin përgatitur shumë kohë më parë për të bërë bllokada të ndryshme dhe ata ishin parkuar në hyrje të fshatit Banjskë, respektivisht në urë, për të bllokuar dhe për të bërë kurthin që eventualisht do të eksplodonte pas disa minutave. Pra Alban Rashiti me disa kolegë menjëherë kishin vërejtur se diçka nuk është në rregull, kanë njoftuar kolegët e tjerë, kanë njoftuar dhomën komanduese, ku janë shkuar edhe përforcime, dhe se përforcimi që ishte shkuar bashkë kishte qenë tani i ndjeri rreshteri Afrim Bunjaku, tani hero i Kosovës, me disa kolegë. Dhe posa janë bërë të gjithë kolegët së bashku, aty kishte kapluar për disa momente një qetësi absolute, sepse kriminelët kishin zënë pritë për t’i zënë në befasi zyrtarët policorë. Dhe pas disa momentesh pra, dëgjohen dy shpërthime të fuqishme, nga të cilat shpërthime goditet rreshteri Afrim Bunjaku edhe po ashtu goditet zyrtari policor Alban Rashiti, i cili pëson plagë të rënda trupore”, tha ai.

Të ngjashme