Avokati: Rusia po e akuzon ish-gazetarin për tradhti ndaj vendit për 248 dollarë

Prishtinë | 03 Nën 2021 | 09:57 | Nga Ekonomia Online

Shërbimet speciale ruse e kanë akuzuar ish-gazetarin Ivan Safronov për shitje të informatave rreth operacioneve ushtarake ruse në Siri për 248 dollarë një analisti politik, për të cilin ato thonë se më pas ia ka dhënë informatat inteligjencës gjermane, tha avokati i ish-reporterit.

Në një paraqitje të rrallë për hetimin e klasifikuar kundër Safronovit, avokati Ivan Pavlov tha se akuza e lidhur me Sirinë është shtuar në rastin kundër klientit të tij për tradhti shtetërore. Përkrahësit e ish-reporterit thonë se gjykimi është pjesë e fushatës për frikësimin e gazetarëve.

Pavlov tha se në aktakuzë thuhet se Safronovi ia kishte shitur informatat në vitin 2015 analistit politik, Demuri Voronin, i cili më pas ua kishte kaluar të dhënat agjencisë gjermane për inteligjencë të jashtme, BND, dhe një universiteti zviceran.

“Sipas akuzës, Voronin ia ka paguar atij 248 dollarë”, shkroi avokati në rrjetet sociale, duke shtuar se reporterët në Rusi mund të akuzohen për tradhti vepër për shkak se e kanë kryer punën e tyre, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Safronov, ish-reporter për fushën e mbrojtjes, i cili më vonë punoi si ndihmës i shefit të agjencisë ruse të hapësirës, u arrestua vitin e kaluar dhe përballet me burgim maksimal prej 20 vjetësh, nëse shpallet fajtor. Ai ka mohuar se ka bërë ndonjë shkelje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme