Avokati Tomë Gashi bën analogji mes rasteve Sopa e Dehari

Prishtinë | 14 Jan 2017 | 16:16 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Avokati mbrojtës i familjarëve të Hamdi Sopës, Tomë Gashi, ka mbajtur një konferencë për gazetarë, duke rikthyer në vëmendje rastin që tashmë është mbyllur të vdekjes së ish-zyrtarit të Qeverisë së Kosovës, që kishte ndodhur në janar të vitit 2013.

Në konferencën së bashku me tashmë të vejën e Sopës, dhe vajzat e saj, të cilat fillimisht ishin akuzuar për vrasjen e familjarit të tyre, Gashi ka rikujtuar se si ato ishin mbajtur për 175 ditë në qendrën e paraburgimit në bazë të ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), që vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Pikërisht ky institut ka bërë dhe ekspertizën e vrasjes së Astrit Deharit, ku Gashi është sërish avokat i familjes.

Gashi ka thënë se në rastin Sopa, IML e kishte pranuar në ekspertizën e tretë se lëndimet vdekjeprurëse të Sopës ishin shkaktuar nga rënia prej ballkonit dhe jo nga të dyshuarat, raporton Ekonomia Online.

“E gjithë tragjedia ka ardhur nga një ekspertizë e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, i cili e ka kualifikuar se ka qenë vrasje. Sipas tyre, në trupit e të ndjerit janë gjetur plagë mbrojtëse. Më vonë, ekspertët e pavarur kanë vërtetuar se plagët janë shkaktuar prej rënies prej ballonit të banesës”.

Në konferencën e mbajtur në zyrën e tij, Gashi tha se ekspertiza e dytë ua kishte tërhequr fajësinë Teuta Sopës dhe dy vajzave të tyre, të cilat ishin liruar nga paraburgimi dhe ishin mbrojtur në liri. Por, një ekspertizë të tillë nuk e kishte pranuar prokurorja vendore, Besa Krajku, cila kishte kërkuar edhe një ekspertizë të tretë, e cila u krye në Londër.

Ekspertiza e tretë kishte mbrojtur atë të dytën, por pavarësisht kësaj, Tomë Gashi tha se prokurorja Besa Krajku, për arsye të panjohura dhe joligjore, për t’i mbrojtur ekspertët e mjekësisë ligjore, kishte urdhëruar një ekspertizë të katërt, në të cilën kishte ekspertë nga Shqipëria. Edhe kjo ekspertizë kishte mbështetur të dytën e të tretën, ndërsa kishte hedhur poshtë ekspertizën e parë të kryer nga mjekët e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Teuta Sopa ka folur me emocione për vuajtjet e familjes, edhe për shkak të akuzave. “Për një moment ti kthehesh në vrasës të burrit tënd, e vajzat në vrasës së babait të tyre. Është insistuar me ngulm, kam pasur presion që ta pranojë se e kam vrarë burrin, duke më thënë: ‘A e din që po i qon fëmijët në burg, së paku 10 vjet'”, ka thënë Teuta.

Artina ka treguar se policët hetues kanë përdorur metoda të ndryshme, duke u munduar ta detyrojnë ta pranojë vrasjen. “Kanë ardhur, më kanë gënjyer se nëna ka thënë kështu, motra tjetër ka thënë kështu… Nuk do t’ia dëshiroja askujt me qenë në pozitën tonë”.

Vajza tjetër, Erna, u shpreh se qëllimi i hetuesve duket se nuk ka qenë zbardhja e rrethanave të rastit. “Janë mendu me ndërtu një rast si iu ka konvenu atyre”, tha ajo.

Këtë rast, Tomë Gashi e ka lidhur me rastin e aktivistit tashmë të ndjerë të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, për të cilin ekspertiza e pavarur kishte rezultuar se Astriti kishte pasur shenja vetëmbrojtëse në trup, por këtë nuk duan ta pranojnë institucionet përgjegjëse.

Sipas Gashit, pikërisht ekspertiza e pavarur që po mohohet në rastin e Astrit Deharit, ia kishte fituar lirinë gruas dhe dy vajzave të Hamdi Sopës.

Ashtu siç kishin dashur t’i mbyllin për rastin Sopa me një ekspertizë të pavërtetë, të njëjtën duan ta bëjnë edhe me rastin e Astrit Deharit, thotë Gashi.
sopa

Të ngjashme