Është refuzuar nga gjyqtarja e EULEX-it Jennifer Seal kërkesa për lirimin e Azem Sylës nga paraburgimi.
Lajmin për refuzimin e heqjes së paraburgimit për Sylën e kanë konfirmuar burime të KALLXO.com.
Kërkesën për lirimin e Azem Sylës nga paraburgimi e kishte bërë avokati i tij Tomë Gashi me pretendimin se dëshmitari i mbrojtur 2 ka mohuar ndikimin e tij nga Syla.
Gashi tha se ende nuk e ka marrë vendimin, ndërsa se nesër e kanë ftuar në gjykatë për ta marrë atë.
Kur e përfundoi dëshminë e tij dëshmitari i mbrojtur 2 më 29 shtator, Tomë Gashi tha për KALLXO.com se kanë përfunduar arsyet e mbajtjes në paraburgim të Sylës.
Sylës iu caktua paraburgimi nga Gjykata e Apelit më 23 shtator, gjashtë ditë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë ia caktoi atij masën e paraqitjes në stacionin e policisë.
Azem Syla u kërkua në shtëpi, por nuk u gjet gjatë një aksioni të madh të Policisë së EULEX-it dhe asaj të Kosovës të zhvilluar më 27 prill. Dy ditë më vonë ai u dorëzua në polici.
Ditën kur u kërkua në shtëpi Syla, u arrestuan edhe Nuhi Uka, i cili ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë dhe Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla e Lubisha Vujoviq.
52 persona, mes tyre edhe Azem Syla dyshohen për tjetërsim të ish-pronave shoqërore në Çagllavicë dhe Llapnasellë.