Azemi kritikon Qeverinë për sektorin e energjisë: Vonesat në projektet jetike marrin fund më 9 shkurt

Prishtinë | 18 Dhj 2024 | 16:37 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Visar Azemi ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka vizion për zhvillimin e sektorit të energjisë. Por kjo sipas Azemit do të ndryshojë pas 9 shkurtit me Qeverinë e LDK-së.

Në një status në Facebook, Azemi ka theksuar se Kosova ka nevojë për nevojë për veprime, jo fjalë.

“Qeveria e Kosovës nisi ankandin për parkun e erës me kapacitet prej 100 MË, një hap që duhet të kishte ndodhur shumë më herët! Ky është vetëm një hap i vogël në një rrugë të gjatë, ndërkohë që vonesat dhe mangësitë në politikën energjetike po na kushtojnë shumë. Është ankandi i dytë pas atij solar, që, për fat të keq, nuk u bë akoma asgjë që nga shpallja e fituesit.
Pse? Sepse Qeveria nuk ka pasur vizion dhe nuk ka reaguar me kohë për të ndihmuar zhvillimin e sektorit të energjisë. Ky proces është tepër i ngadalshëm dhe i pamjaftueshëm për të përballuar nevojat e ekonomisë sonë.”, ka shkruar Azemi.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për një qeveri që është e guximshme dhe që ka vizionin dhe vullnetin për të ndërtuar shumë më tepër kapacitete të reja energjisë, duke përfshirë edhe ato të burimeve të ripërtëritshme.

Ai është shprehur se Qeveria e ardhshme e LDK-së do të marrë hapa të menjëhershëm në ndërtimin e një infrastrukture energjetike që është e qëndrueshme dhe e arritshme për të gjithë qytetarët.

“Vonesat në projektet jetike për Kosovën marrin fund më 9 shkurt.”, ka shkruar ai.

Të ngjashme