Aleanca Kosova e Re ka mbajtur sot një tubim me banorët e Hajvalisë, ku morën pjese një numër i madh i qytetarëve. Tubimin e hapi Islam Pacolli, kryetar i degës së pestë të AKR-së në Prishtinë (Hajvali), i cili i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje dhe përkrahje të vazhdueshme që kanë treguar ndaj Aleancës Kosova e Re.
Në mesin e qytetarëve të shumtë dhe anëtarëve të kryesisë, i pranishëm në këtë takim ishte edhe nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, njëherit Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili në mes tjerash tha se AKR di t`i realizojë projektet të cilat do të mundësojnë zhvillim ekonomik.
“Ne punojmë me duar të pastra dhe vizion të qartë. Ne mendojmë për gjeneratat e ardhme, për edukimin dhe të ardhmen e tyre”, ka shtuar Bahtri.
Banorëve të Hajvalisë me një fjalë iu drejtua edhe Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, i cili tha se tashmë shihet qartë gatishmëria e qytetarëve që t`i bashkohen programit të AKR-së. Në këtë tubim strukturat e Aleancës Kosova e Re biseduan me qytetarë lidhur me gjendjen aktuale ekonomike në Kosovë, ku diskutuan edhe për përfshirje të qytetarëve në vendimmarrje, mundësi kjo që do të siguronte ngritje të standardit dhe mirëqenies së tyre.