Bajraktari: Sistemi shëndetësor po përballet me sfida buxhetore dhe politikbërëse

Prishtinë | 10 Kor 2019 | 11:55 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale,  ka pritur në takim Ilirjana Bajraktarin, eksperte e sistemeve dhe politikave shëndetësore, raporton Ekonomia Online.

Ilirjana Bajraktari e cila me punë është e angazhuar në Suedi, tha se sistemi shëndetësor po përballet me sfida buxhetore dhe politikbërëse.

 Sipas Bajraktarit për dallim nga viti 1999, sistemi i shëndetësisë ka shënuar një progres.

“Kam qenë e angazhuar një kohë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. I bashkëndjejë me ju sfidat që i paraqet sektori shëndetësor, posaçërisht sfidat politikbërëse. Mund të them se ka pasë të arritura që nga viti 1999 deri më tani. Sektori i shëndetësisë është një pjesë e rëndësishme e ekonomisë”.

Bajraktari tha se një nga planet e saj për ta ndihmuar punën e Komisionit të Shëndetësisë në Kosovë, është t’i takoj ata me Komisionin për Shëndetësi në Suedi.

“Ne me Komisionin kemi shqyrtuar mundësinë e një bashkëpunimi të mundshëm, një nga temat e prekura është tema e kancerit të gjirit, kemi rritje të ndjeshme të rasteve çdo vit. Unë kam ofruar që kjo temë të trajtohet me një nga shtetet e Bashkimit Evropian. Njëra nga aktivitetet që mund ta organizojmë bashkë me Komisionin është që të organizohet një takim i këtij Komisioni me Komisionin shëndetësor në Suedi”, tha Bajraktari.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, tha Kosova ka mundësi të limituara shëndetësore, derisa shtoi se është e vështirë që disa pacientë nga regjione të ndryshme të Kosovës, detyrohen të vijnë në Prishtinë vetëm për të marrë një terapi.

“Është e qartë që në Kosovë kemi arrit progres në këtë drejtim, çështja e kancerit mbetet një problematikë shumë e madhe. Por çka është e rëndësishme në botë është qe kanceri po konsiderohet si një sëmundje kronike tashmë. Ne e dimë që i kemi mundësitë e limituara shëndetësore. Për një pacient që jeton në regjione është e vështirë që të vijë këtu dhe ta marrë terapinë. Pacientët që e marrin këtë terapi shumë nga ta janë me gjendje e ekonomike të dobët kështu që është e vështirë për ta të vijnë këtu në Prishtinë dhe ta marrin këtë terapi”, tha Kollçaku, raporton EO.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, tha zbatimi i sigurimeve shëndetësore ka ngecë, derisa kërkoi që Ligji për Sigurime Shëndetësore të vijë edhe njëherë në Kuvend për plotësim-ndryshim.

“Ne kemi pasë një menaxhment të dobët, andaj edhe reforma legjislative nuk ka ndikuar. Ne jemi në një situatë që funksioni i sistemit të shëndetësisë ka filluar me marrë një ndikim. Zbatimi i sigurimeve e shëndetësore ka ngecë. Ligji për siguri shëndetësore duhet të vijë edhe një herë në Kuvend që të plotësohet dhe ndryshohet. Një numër i madh i kategorive këtë sigurim shëndetësor e marrin falas, por duhet pasur kujdes pasi që me këtë mund të rrezikohet fondi për sigurime shëndetësore”, tha Haxhiu, raporton EO.

Të ngjashme