Në vitet e 90-ta arsimi dhe edukimi mbajtën gjallë frymën e rezistencës, frymën e shpresës për liri e pavarësi dhe treguan vitalitetin e popullit tonë.
Kështu ka thënë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, gjatë një takimi me përfaqësues të Këshillit të iniciativës për projektin e realizimit të mësimit shqip në shtëpitë-shkolla në vitet 1990-të, raporton Ekonomia Online.
Ky takim u zhvillua në kuadër të shënimit të përvjetorit të kësaj ngjarjeje ku ishin prezentë disa pronarë të shtëpive-shkolla nga komuna e Prishtinës si dhe drejtues të arsimit në Kosovë në vitet e nëntëdhjeta.
“Po kujtojmë me pietet, krenari dhe respekt të veçantë rolin që kemi pas si mësimdhënës në kohë të vështira, sepse organizimi në sferën e arsimit si pjesë e projektit politik për pavarësi të udhëhequr nga presidenti Rugova, ka mundësuar që sot ne të jemi të lirë dhe të bëjmë të mundshëm ndërtimin e një edukimi cilësor dhe të përparuar”, ka thënë Bajrami.
“Me angazhimin e juaj, ne mbijetuam një terror, një projekt të shkatërrimit, të gjenocidit, organizuam në shtëpitë-shkolla që bëri të mbijetoj sistemi i edukimit. Ne mundësuam që të mbrojmë arsimin dhe edukimin nga cilado tendencë shfarosëse serbe”, ka thënë Bajrami.
Ai ka thënë se janë duke finalizuar Projektligjin për mësimdhënësit e viteve të 90-ta, duke thënë se ekziston përkrahja e plotë për mësimdhënësit e asaj periudhe.
“Me këtë ligj dëshirojmë që kjo periudhë të zë vendin e merituar, dhe të gjithë ata patriotë të kohës të marrin merita shtetërore, në mënyrë që duke kujtuar historinë tonë të ndërtojmë të ardhmen”, ka thënë Bajrami.