Bajrami: Kosova e interesuar të anëtarësohet në organizatën WIPO

Prishtinë | 14 Sht 2016 | 15:46 | Nga

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami, ka takuar zyrtarët nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO), Adel Baccouche, menaxher i projekteve dhe Erjola Hajdari, eksperte rajonale.

Në takim u bisedua rreth bashkëpunimit të Agjencisë për Pronësi Industriale të Kosovës (API), e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, me këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare të pronësisë intelektuale.

Me këtë rast, ministrja Bajrami falënderoi zyrtarët nga WIPO për mbështetjen që kjo organizatë i ka ofruar Agjencisë për Pronësi Industriale të Kosovës.

Ajo vlerësoi lartë përkrahjen aktuale teknike të ofruar nga WIPO, sidomos në lidhje me sistemin IPAS.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është e interesuar që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tutje me qëllim që API të vazhdojë të konsolidohet dhe forcohet më tej, gjithnjë në funksion të ofrimit të shërbimeve sa më efikase për bizneset e Kosovës”, tha Bajrami, e cila shtoi se Kosova është po ashtu e interesuar që të anëtarësohet në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

Ndërsa, Adel Baccouche, shprehu zotimin e WIPO-s që të vazhdojë mbështetjen për institucionet e pronësisë intelektuale në Kosovë me qëllim të rregullimit të mirë të kësaj fushe tejet të rëndësishme për biznesin dhe ekonominë e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme