Bajrami: Kosova nuk është rast i njëjtë me Krimenë

Prishtinë | 09 Gus 2026 | 19:22 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Administratës Publike dhe i Arsimit, Arsim Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në Beograd, se Ukraina nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe ndaj krahasimit të Kosovës me Krimenë.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Bajrami argumenton se Kosova dhe Krimea përfaqësojnë dy raste krejtësisht të ndryshme, si në aspektin historik, ashtu edhe në atë juridik dhe politik.

Sipas tij, rasti i Krimesë lidhet me përdorimin e forcës dhe ndryshimin e kufijve të Ukrainës përmes ndërhyrjes ushtarake të Federatës Ruse në vitin 2014. Bajrami thekson se Krimea u vu nën kontrollin rus dhe më pas u aneksua nga Rusia, veprim i cili është konsideruar nga shumica e komunitetit ndërkombëtar si shkelje e integritetit territorial të Ukrainës.

“Kosova, përkundrazi, nuk ka kaluar nëpër një proces aneksimi nga ndonjë shtet tjetër”, shkruan Bajrami, duke nënvizuar se pavarësia e Kosovës është rezultat i një procesi të gjatë historik, politik dhe ndërkombëtar.

Ai i referohet edhe pozitës kushtetuese të Kosovës në ish-Jugosllavi, veçanërisht Kushtetutës së vitit 1974, e cila, sipas tij, i kishte dhënë Kosovës elemente të rëndësishme të autonomisë dhe statusit konstituiv në federatë.

Bajrami thekson se një tjetër dallim i rëndësishëm është procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë, në kuadër të të cilit u krijuan shtete të reja dhe u zhvilluan konflikte të armatosura në Ballkan. Sipas tij, Kosova mbeti një çështje e pazgjidhur e këtij procesi, ndërsa Krimea nuk mund të vendoset në të njëjtin kontekst historik.

Në reagim, ish-ministri kosovar vë në pah edhe kërkesën e gjatë të shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje, duke e lidhur atë me dekada të tëra të përjashtimit politik, diskriminimit dhe mungesës së përfaqësimit të barabartë.

Një tjetër element që Bajrami e konsideron thelbësor është administrimi ndërkombëtar i Kosovës pas luftës së vitit 1999. Ai kujton se, përmes Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kosova u vendos nën administrimin ndërkombëtar të UNMIK-ut, duke krijuar një regjim të veçantë politik dhe juridik.

Bajrami i referohet edhe opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010. Ai thekson se Gjykata konstatoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

“Ky opinion nuk e shpalli Kosovën shtet në vetvete, por konfirmoi se akti i shpalljes së pavarësisë nuk ishte në kundërshtim me normat ndërkombëtare”, shkruan Bajrami.

Sipas tij, Kosova trajtohet në diskursin ndërkombëtar si rast sui generis, pra si një rast i veçantë që nuk krijon automatikisht precedent për raste të tjera.

Bajrami rendit disa dallime mes Kosovës dhe Krimesë, duke theksuar se Krimea lidhet me aneksimin përmes përdorimit të forcës, ndërsa Kosova nuk është aneksuar nga ndonjë shtet tjetër. Po ashtu, ai nënvizon se Kosova ka kaluar përmes shpërbërjes së Jugosllavisë, një procesi të gjatë të kërkesës për vetëvendosje dhe administrimit ndërkombëtar.

Në përfundim, Bajrami thotë se përpjekja për të barazuar Kosovën me Krimenë nuk qëndron në planin historik dhe juridik.

“Kosova dhe Krimea nuk janë dhe nuk mund të jenë e njëjta gjë”, shprehet Bajrami, duke shtuar se Krimea përfaqëson një rast të ndryshëm nga procesi kompleks historik dhe ndërkombëtar që çoi në pavarësinë e Kosovës.

Të ngjashme