Bajrami: Ministrja Hoxha në mbrojtje të drejtuesve të klanit pronto

Prishtinë | 28 Dhj 2016 | 16:21 | Nga

Shkruan: Valdete Bajrami, shefe e Grupit Palramentar të Nisma-s për Kosovën

Në këtë shkrim do të analizoj vetëm një pjesë të intervistës së saj, përkatësisht atë pjesë ku ajo përpiqet të përgjigjet në pyetjet për aferën Pronto. Edhe një shikues i zakonshëm dhe jo shumë i vëmendshëm, me lehtësi do të vërente se ministrja e drejtësisë kur fliste për aferën pronto ishte gjithçka tjetër, veç e drejtë nuk ishte. Mënyra se si iu qas kësaj çështje ajo mbrëmë, është një dëshmi se ajo aty është emëruar nga protagonistët e klanit pronto për t’iu shërbyer e mbrojtur ata dhe jo qytetarëve e drejtësisë në Kosovë.

Në fillim ajo bëri përpjekje që këtë temë e cila rëndon mbi supet e drejtuesve të PDK-së ta kalojë shpejt me fjalitë standarde dhe boshe se: “Kjo është çështje e drejtësisë” dhe “Të gjithë janë të barabartë para ligjit”.

Vetëm deri këtu ishte në funksion të postit që e mban. Të gjitha ato që më pas ajo i tha lidhur me këtë temë ishin në shërbim të shefave të saj partiak. Në vazhdim të intervistës ministrja Hoxha tha se: “Besoj që nuk është vetëm PDK’ja që i ka biseduar këto gjëra, por të gjitha partitë politike, edhe ato opozitare që menaxhojnë komunat në ditët e sotme veprojnë njëjtë”.

Pra ministrja e drejtësisë e din këtë nga përvoja personale si zyrtare e PDK-së, por asnjëherë nuk ka qenë e gatshme që të denoncojë shkeljet e tilla të ligjit sepse duke qenë edhe vet produkt i kësaj logjike të veprimit ajo ka përfituar nga këto shkelje.
Më pas thotë se: “Ky është një mentalitet i së kaluarës ku funksionarët e lartë politik nga komunizmi që me një thirrje telefonike i kanë vendosur ose zhvendosur personat të cilët kanë qenë të afërt me ta në pozita të caktuara” . Sikur e shini nga kjo pjesë, ministrja Hoxha e pranon se udhëheqësit e partisë së saj udhëhiqen nga një mentalitet komunist.

Në këtë pjesë të “sqarimeve” të saj duke thënë se : “Nuk mund të themi se janë domosdoshmërisht të njëjtit persona, sepse shefi i grupit parlamentar ka detyra të caktuara dhe të mos kthehem në marrëveshjet politike që janë bërë”, ajo nxjerr në shesh misionin e saj që e ka si ministre e drejtësisë, e që është ekskluzivisht mbrojtja e shefave të saj Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nga përgjegjësia që kanë për këtë aferë. Në këtë pjesë ajo qartë vihet në mbrojtje të shefave të saj Thaçi dhe Veseli dhe bën me gisht kah, sipas saj, përgjegjësi i vetëm shefi i grupit parlamentar Adem Grabovci. Tani, a mund t’i besohet kësaj se do të jetë e pa anshme në ushtrimin e detyrës së saj si ministre drejtësisë? Sigurisht që jo!

Në fund kam nxjerrë pjesën më skandaloze të intervistës së saj, pjesën ku ajo vihet hapur në mbrojtje të klanit pronto, dhe jo vetëm që vihet në mbrojtje të saj por duke thënë se: “Një gazetari hulumtuese po të merrej më shumë me këtë rast do të vërente që personat të cilët janë përfolur në ato përgjime nuk i kanë marrë ato pozita” ndërhyn në punën e pavarur të sistemit të drejtësisë. Pra, përmes kësaj deklarate ajo e paragjykon se si duhet të përfundojë e tërë kjo çështje. Kjo është e pa pranueshme. Në një vend demokratik, një ministre e drejtësisë nuk do të guxonte të bëj deklarata të tilla, ose edhe po të guxonte, dorëheqja nga funksioni i ministres do të ishte e pashmangshme!

Të ngjashme