Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2016/2017, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, priti sot në takim kryetarin e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), Rrahman Jasharaj me bashkëpunëtorë.
Në takim u bisedua për fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor dhe masat që janë ndërmarrë për të pas një vit të suksesshëm siç janë: Rishikimi i teksteve shkollore, përmirësimi dhe zgjerimi i infrastrukturës, pajisja me inventar si dhe zhvillimi profesional i mësimdhënësve.
Po ashtu, u bisedua edhe për jetësimin e disa pikave të Kontratës Kolektive të adresuara nga SBAShK-u, për çka të dyja palët u pajtuan që, sipas mundësive, këto çështje të adresohen në institucionet përgjegjëse në mënyrë që të marrin zgjidhje.
Ministri Bajrami falënderoi Sindikatën për kontributin që po jep në procese të rëndësishme në arsim, duke qenë partner i rëndësishëm në rrugën e gjatë e të vështirë për ngritjen e cilësisë.
Ndërsa, përfaqësuesit e SBAShK-ut e falënderuan ministrin Bajrami për bashkëpunimin e treguar deri më tani dhe theksuan domosdoshmërinë përmes dialogut aktiv të vazhdojnë të punojnë së bashku në dobi të zhvillimeve pozitive në fushën e arsimit.