Universiteti i Mitrovicës veriore funksionon me direktivën e Serbisë dhe jo me planprogram të MASHT-it. Ky universitet paralel është krijuar me vendim të UNMIK-ut dhe pa dëshirën dhe vullnetin e institucioneve të Kosovës.
Kështu ka thënë në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili ka bërë të ditur se nëse ky institucion i plotëson kushtet, nuk do t’i mohohet e drejta që të formohet si universitet i veçantë.
“Ai universitet nuk është i përndjekur, është paralel i cili është krijuar edhe me vendim të UNMIK-ut. Dëshira jonë është që të ndalim këtë proces të mos pranimit të Republikës së Kosovës dhe me ligj të pranohet, dhe natyrisht pastaj ky universitet të vendos nëse do të jetë Universitet ne nuk do ta pengojmë, por ai duhet të jetë një universitet i Kosovës dhe duhet të respektojë legjislacionin e Kosovës”, ka thënë Bajrami.
Kurse sa i për ketë kërkesës së Listës Serbe që ky universitet të jetë pjesë e asociacionit, Bajrami ka thënë se gjendja e arsimit të lartë dhe universitet nuk mund të lihet në dëshirat e një liste e cila nuk ka votuar ndryshimet legjislative të arsimit.
”Kjo listë ka këto pozicione tani më të njohura sepse gjithçka e ndërlidh me themelimin e asociacionit. Arsimi i lartë çdo kund është politikë qendrore nuk është politikë lokale dhe nuk mund të lihet në kompetencë të asociacionit për faktin se Lista Serbe nuk ka treguar gatishmëri për ta votuar këtë ligj. Ne kemi lejuar edhe një afat shtesë të konsultimeve edhe me sugjerim të faktorit ndërkombëtar të partnerëve tanë strategjikë në fushën e arsimit BE-së dhe ShBA-së, të cilët e mbështesin arsimin e lartë, t’i japim edhe pak kohë integrimit të këtij universiteti në kornizën kombëtare të Kosovës”, ka deklaruar Ministri Bajrami.
Sa i për ketë mësimdhënësve, profesorëve dhe mënyrës së funksionimit të këtij institucioni arsimor, ministri Bajrami ka bërë të ditur se ai universitet i cili është në funksionalizim me një vendim të UNMIK-ut, menaxhohet nga shteti fqinjë Serbia.
“Universiteti vepron në bazën e licencës të lëshuar nga UNMIK-u, i cili e ka licencuar atë. Është e vërtet që ai universitet punon në bazë të ligjeve serbe dhe sa i përket akreditimit, por edhe sa i përket pagave të mësimdhënësve, ata mësimdhënës nuk paguhen ato programe nuk akreditohen, natyrisht për shkak të politikave që i ndjek shteti yni nuk kemi vepruar në drejtim të mbylljes së tij, por i kemi dhënë shans dialogut akademik dhe integrimit të atij universiteti. Mendoj se kemi vepruar drejtë sepse është një qasje e përgjegjshme se ky Universitet të shoh se duhet të veprojë në Kosovë”, ka thënë Bajrami.
Sa i për ketë çështjes së testit PISA 2015 dhe rezultateve dhe punës të cilën ministria është duke e bërë për testin e ardhshëm, ministri Bajrami ka dhënë një porosi duke thënë se nuk janë pajtuar me atë që nxënësit janë fajtorë për rezultatin e PISA-së.
I pyetur për lëndën e Edukimit Medial e cila është kërkuar të jetë pjesë e lëndëve shkollore, ai ka dhënë shpresë duke thënë se kjo lëndë është shumë e nevojshme për arsimin parauniversitar dhe shumë shpejt nxënësit mund të marrin njohuri për mediet, dhe atë që i rrethon çdo ditë.
“Nuk jemi pajtuar dhe nuk do të pajtohemi dhe nuk do ti fajësojmë nxënësit, nxënësit janë të atillë çfarë janë mësimdhënësit çfarë është kurrikula dhe çfarë është metodologjia e mësimdhënës”, ka thënë Bajrami.
“Jemi të gatshëm për të punuar për një lëndë të tillë natyrisht në formë të modulit. Është shumë me rëndësi që ta kemi kurrikulën e kësaj lënde ta dimë se cili është qëllimi i kësaj lënde të shohim se cilët do të jenë mësimdhënësit që do ta mbajnë këtë lëndë. Fillimisht duhet të trajnohen mësimdhënësit pastaj duhet ta bëjmë kurrikulen tekstet, ka deklaruar Bajram.i
Sa i përket komunitetit shqiptar të cilët jetojnë në Luginë të Preshevës dhe këmbimit të librave që Kosova ka pasur t’i dërgojë në Kosovën Lindore, Bajrami ka treguar që qeveria e Serbisë nuk e ka lejuar një gjë të tillë pavarësisht marrëveshjes, pasi sipas tij Serbia po e zë armë librin në gjuhën shqipe.
“Qeveria serbe akoma vazhdon me logjikën që ligji shkollor në gjuhën shqipe është tekst armiqësor. Akoma e kanë logjikën komuniste shtypëse që ndalohen tekstet në këtë shekull. Kemi akoma liderë të Serbisë në Qeveri të cilët tekstet i konsiderojnë si mjet armiqësor dhe mendon se furnizimi me libra nga Kosova indoktrinon fëmijët që është një qasje shumë primitive e në anën tjetër asgjë nuk ka bërë qeveria serbe për të siguruar tekste cilësore dhe kualitative, duke qenë se ata akoma e shohin Kosovën si shtet armiqësorë një shtet të cilin se pranojnë”, ka thënë Bajrami.
Ai bëri të ditur se ligji për mësimdhënësit e viteve të ’90-ta do të jetë njëra ndër pikat të cilat do të realizohen në legjislaturën e tij si ministër i Arsimit.
“Tani më pas 15 viteve pritjeve si duket ne si ministri do të arrijmë këtë ligj që ta finalizojmë. E kam lut edhe parlamentin që të jetë kjo një legjislaturë me përgjegjësi që ta kryejë këtë punë sepse kjo është e pesta legjislaturë që nuk po kryhet dhe e pesta qeveri që nuk po merret dhe ne e kemi marr seriozisht. Ministria e Arsimit e ka përfundua, sindikata ka qenë pjesë e procesit ka qenë zyra e kryeministrit ka qenë ministria e financave. E kemi zbrit koston në minimum dhe jam shumë optimist se tani do të gjejmë buxhetin dhe ky ligj do të miratohet dhe mësimdhënësit do ti marrin kontributet e merituara”, ka thënë ai.
Bajrami ka folur edhe për funksionimin e koalicionit PDK-LDK, duke thënë se po kryen punë të mira.
Por që ka shtuar se në momentin kur shohin se shteti nuk funksionon liderët e partive duhet të marrin një vendim i cili ndoshta mund të jenë edhe zgjedhjet e parakohshme.
“Në momentin kur ne e shohim që po dëmtohet shteti, funksionaliteti i shtetit atëherë ne duhet të bisedojmë për një fillim të ri. Për shkuarjen në zgjedhje duhet një vendim konsensual, një vendim i cili na prodhon zgjedhje të mira. Nuk jam ithtar i zgjedhjeve të shpejta dhe të befasishme, sepse nuk e di a do të jemi të gatshëm të mbajmë zgjedhje me kredibilitet të lartë me standarde të larta dhe të sigurojmë kushte të mjaftueshme për një fushatë e cila do të jetë në konkurrence të vlerave pozitive dhe jo e sulmeve reciproke, jo e barabartë dhe e ngarkuar me një dozë të patriotizmit apo elementeve të tjera”, ka përfunduar Bajrami.