Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti sot në takim kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi.
Në këtë takim u bisedua lidhur me rolin e gjyqësorit në zgjidhjen e kontesteve biznesore, duke pasur parasysh faktin se kjo komponentë është e një rëndësie të madhe në procesin e lehtësimit të punës së bizneseve dhe të përmirësimit të mjedisit afarist në vend.
Ministrja Bajrami e informoi Idrizin me përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e mjedisit afarist dhe rritjen e investimeve, duke konstatuar, se rritja e efikasitetit të gjykatave në zgjidhjen e kontesteve biznesore ka ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e mjedisit afarist sikundër edhe në rritjen e investimeve në Kosovë.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës pohoi se institucioni që ai drejton, po bën përpjekje maksimale që të rrisë efikasitetin dhe të shkurtojë kohën e zgjidhjes së lëndëve që i takojnë kësaj kategorie.
Ai kërkoi mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për rritjen e kapaciteteve kadrovike të institucioneve gjyqësore.