Ballkani përfiton miliarda nga Procesi i Berlinit, Kosova merr pak

Prishtinë | 16 Tet 2023 | 21:20 | Nga Ekonomia Online

Miliarda euro janë përfitimet e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, përmes Procesit të Berlinit.

Paratë, Bashkimi Evropian i ndanë sipas madhësisë së shteteve, përderisa plani ekonomik dhe i investimeve, i prezantuar në shkurt të vitit të kaluar, parasheh investime deri në 30 miliardë euro.

28 prej tyre janë duke u shpërndarë përmes fondeve IPA.

“Kosova në atë kohë ka konkurruar në infrastrukturë dhe i ka pasur projektet e veta, që është lidhja e hekurudhës me Serbinë në një anë dhe në anën tjetër me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Kanë qenë edhe projektet energjetike, me efiçiencën e energjisë, me energjinë e gjelbër, me mbrojtjen e ambientit. Këto janë projektet kryesore të cilat kanë qenë në atë kohë, mirëpo janë edhe sot”, tha Fatmir Gashi, ish-zëvendësministër i Financave.

Disa prej projekteve, ish-zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi tregon se tashmë janë realizuar.

Për vlerësimin e tij, përfitimet e Kosovës nga ky proces janë të shumta.

“Një treg, një ekonomi e përbashkët, një infrastrukturë e përbashkët rrugore, ajrore, apo transport i energjisë, në qoftëse nuk i ke të anuluara mospajtimet politike, vështirë që mund të ketë zhvillim. Kosova nga ky proces i Berlinit përfiton më së shumti nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, për arsye se me këtë proces, Kosova mund t’i rregullojë marrëdhëniet edhe me fqinjët”, shtoi Gashi.

Në këtë proces, Emrush Ujkani që drejton Këshillin e Investitorëve Evropianë për Kosovë, thekson se negativisht ka ndikuar edhe situata e sigurisë në veriun e vendit.

“Pashmangshëm, përderisa e ke një problem i cili nuk është i zgjidhur, ai shfaqet në mënyra të ndryshme dhe mendoj se kjo e ka pengu. E para, mungesa për ta shtrirë në mënyrë efektive pushtetin tonë në një pjesë të territorit, ajo nuk mund të mbetet pa u adresuar, sepse ju e keni atje problem ta shpenzoni paranë publike, e lëre më të jeni atraksion për vendet ose NDI të ndryshme, përfshirë këtu edhe ndihmën nga Bashkimi Evropian”, tha Emrush Ujkani nga Këshilli i Investitorëve Evropianë.

Nga fondet e ndara nga Procesi i Berlinit, Kosova është një nga përfitueset më të vogla, kryesisht pasi që fondet ndahen edhe sipas madhësisë së shteteve përfituese. (Dukagjini)

Të ngjashme