Njohësi i rrethanave politike, Shkëlzen Maliqi, ka thënë se pak a shumë janë të konfiguruara përparësitë dhe individët që hyjnë në balotazh si favoritë më 19 nëntor por, sipas tij, ata favoritë nuk mund të kenë garanci se do të jenë fitues të zgjedhjeve.
Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se raundi i dytë i zgjedhjeve mund të sjellë përmbysje të rezultatit të raundit të parë siç kishte ndodhur në vitin 2013 në Prishtinë dhe në Mitrovicë.
Sipas tij, nëse votuesit e kandidatëve të eliminuar e kanë të gjallë motivimin që të ndikojnë në skenën lokale, është e mundshme të shkrihen edhe përparësitë bindëse të raundit të parë.
Maliqi në Prishtinë e sheh favorit Shpend Ahmetin, në Ferizaj Agim Aliun, në Gjakovë Ardian Gjinin, në Mitrovicë Valdete Idrizin, në Prizren Shaqir Totajn dhe në Istog Haki Rugovën. Përparësitë e këtyre kandidatëve, Maliqi thotë se nuk janë të garantuara.