Zyra e Bankës Botërore në Kosovë ka mbajtur konferencë për gazetarë për ta prezantuar numrin më të ri të Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor.
Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder, nëpërmjet videolidhjes nga Zyra e Bankës Botërore në Vjenë tha se ky është edicioni i 13-të i Raportit të rregullt ekonomik dhe se raporti vlerëson zhvillimet e kohëve të fundit ekonomik në Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Serbi, Maqedoni, Mal të Zi dhe paraqet zhvillim ekonomik dhe vendet e punës në qendër dhe sipas Gelder-it të gjitha këto 6 vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me sfidën e kriijimit të punës duke pasur parasysh nivelin e papunësisë në rajon.
Marko Hernandes, ekonomist i Bankës Botërore në Vjenë, tha se rritja e produktivitetit është njëri prej faktorëve kyç që të kemi zhvillim më të shpejtë dhe më të madh në vendet e Ballkanit Perëndimor, po ashtu kjo ndihmon që të kemi qasje në punë, të rriten vendet e punës dhe të jenë pagat më të larta, raporton Ekonomia Online.
“Ekonomia në Ballkanin Perëndimor vazhdon të rritet dhe ky është zhvillim pozitiv. Viti 2017 ka qenë më i ngadaltë sesa vitet e kaluara, por vendet e punës vazhdojnë të krijohen. Më shumë vende të punës janë hapur në sektorin e shërbimit dhe më gjegjësisht në sektorin me shumicë dhe pakicë dhe kjo do vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha Hernandes.
Ndërsa, Agim Demukaj, ekonomist i Bankës Botërore në Kosovë, tha se Kosova ka pasur rritje më të shëndetshme. Në vitin 2017 buxheti është rritur me 4.4% në krahasim me vitin 2016 që ishte 4.1%.
“Vitin e kaluar kjo rritje ka krijuar vende të reja të punës, kemi 25.300 vende të reja të punës kryesisht në prodhim dhe shërbime dhe më shumë njerëz kanë filluar të kërkojnë punë në mënyrë aktive”, tha Demukaj.
“Rritja e barrës fiskale për skemën e veteranëve të luftës është kriju si rritje që në afat të gjatë është e paqëndrushme dhe Qeveria duhet të ndërmarrë masa që të korrigjojë çka ka ndodhur aty dhe të zbatojë ligjin e ri i cili parasheh qe në tërësi kjo skemë të mos kalojë në 0.7 % të prodhimit vendor si kosto fiskale. Sa i përket vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave, ne nuk kemi pasur ndonjë pozicion në atë drejtim, meqenëse ky vendim kërkon një analizë më të mirë me shiku si ka ardhur deri tek ai vendim, sa është i arsyeshëm ai vendim, të mos harrojmë se me sa ne e dimë nuk ka pasur ndonjë rritje të pagave të politikanëve prej vitit 2009 dhe rritja duhet të ndodhë, por një rritje e tillë e cila është prezantu si 100% apo më shumë. Pra ne si Bankë Botërore e konsiderojmë si diçka që me të vërtetë duhet të rishqyrtohet”, tha Demukaj.
Banka Botërore ka ulur parashikimin e saj për rritjen ekonomike për Ballkanin Perëndimor në 3.2% për vitin 2018 nga parashikimi i saj i mëhershëm prej 3.3% dhe ka paralajmëruar se reformat strukturore janë të nevojshme nëse rajoni dëshiron të rritet qëndrueshëm në periudhën afatmesme.
Banka tha po ashtu se pret që rajoni, që përbëhet nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja dhe Serbia, të rritet për 3.5 për qind më 2019, nga 3.6 sa kishte parashikuar në raportin e nëntorit 2017.