Banka Botërore ka parashikuar që rritja ekonomike në Kosovë këtë vit do të jetë 3.8 për qind, ndërkaq tredi i rritjes do të vazhdojë edhe më 2025 në 3.9 dhe një vit më vonë në 4 për qind.
Paraprakisht, rritje prej rreth 4 për qind për këtë vit kanë parashikuar edhe autoritetet e Kosovës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Megjithatë, njohësit e fushës së ekonomisë kanë thënë se që rritja ekonomike të ndikojë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve, duhet të jetë në shifra dyshifrore.
Në raportin e Bankës Botërore u tha se parashihet rritje ekonomike për gjashtë ekonomë e Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, që vitin 2025 do të arrijë në 3.7 për qind apo 0.2 pikë të përqindjes më e lartë sesa paraprakisht ishte parashikuar.
“Faktorët e brendshëm vijojnë të mbështesin një përshpejtim më ritëm të moderuar të rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Përveç kësaj, në periudhë afatmesme, rimëkëmbja graduale e aktivitetit ekonomik në Bashkimin Evropian pritet të luajë rol vendimtar në forcimin e eksporteve të rajonit”, tha Isolina Rossi, ekonomiste në Bankën Botërore dhe autore kryesore e raportit.
“Pavarësisht perspektivës pozitive, rajoni vijon të mbetet i ekspozuar ndaj një sërë rreziqesh, si rritja e ngadaltë ekonomike në nivel global, kthimi i inflacionit sërish në nivele të larta, pasiguritë politike dhe ngjarjet ekstreme të motit”, shtoi ajo.
Banka Botërore tha se me rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor, standardet e jetesës në rajon “po vijojnë të konvergojnë gradualisht me ato të ekonomive më të përparuara të Bashkimit Evropian”.
Megjithatë, kjo organizatë tha se që të ruhet vrulli i rritjes ekonomike kërkohet përshpejtimi i reformave strukturore, përfshirë ato që parashihen në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së.
“Për të mbështetur këtë rritje ekonomike, vendet e rajonit duhet të forcojnë tregtinë rajonale dhe me Bashkimin Evropian, të reduktojnë kohën e pritjes në kufi dhe të integrojnë sistemet e pagesave”, tha Xiaoqing Yu, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor është miratuar nga BE-ja në maj dhe kap vlerën e 6 miliardë eurove.
Ky plan synon t’i mbështesë reformat e rajonit, që lidhen me BE-në, si dhe rritjen e tij ekonomike.
Vendet anëtare të BE-së i miratuan më 11 tetor agjendat e reformave të pesë vendeve të rajonit – përveç Bosnje e Hercegovinës – duke i hapur kështu rrugë Komisionit Evropian që t’i bëjë pagesat e para nga paketa në fjalë.
Bosnja duhet të presë ende për miratimin e agjendës së saj, pasi dokumenti që ky vend dërgoi në BE, nuk ishte komplet dhe nuk i adresonte të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Evropian.
Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes. Mbi 250 milionë euro, asaj do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme./REL/