Një grup qytetarësh, që jetojnë në ndërtesa kolektive në rrugën “Ali Hadri”, janë detyruar që të reagojnë përmes një peticioni drejtuar Komunës së Prishtinës për të kërkuar që t’u gjendet një zgjidhje për parkingjet përreth objekteve të tyre të banimit, me arsyetimin se kjo gjë po u shkakton telashe të shumta në jetën e përditshme, shkruan sot “Koha Ditore”.
Andin Randobrava, njëri nga iniciatorët e këtij peticioni, ka thënë për “Kohën Ditore” se ka disa javë që afro 30 përfaqësues të familjeve që jetojnë në objektet kolektive, në këtë pjesë të qytetit, dhe të cilët kanë vetura, janë detyruar që të mbledhin nënshkrimet e tyre në formë reagimi për problemet me parkingjet.
Randobrava ka thënë se parkingjet e hapura, përreth banesave të tyre po zihen nga automjete të qytetarëve që nuk jetojnë atypari, kurse ata detyrohen të parkojnë nëpër pjesë të tjera të qytetit, për çka madje edhe janë dënuar nga policia.
“Ne po kërkojmë që Komuna të zgjidhë këtë çështje, meqë po dëmtohemi dhe po rrezikohemi, sepse në mesin tonë ka edhe banorë që kanë familjarë të sëmurë dhe veturat e ‘huaja të parkuara para banesave tona po ua vështirësojnë qasjen dhe lëvizjen edhe këtyre rasteve”, ka thënë Randobrava.