Banorëve të zhvendosur nga Hadja iu kërkohet të paguajnë tatim për ish-pronën

Prishtinë | 11 Mar 2023 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Banorët e fshatit Hade e Re ende janë duke paguar tatim prone për vendin ku dikur jetonin, para se të shpërnguleshin nga viti 2002 e këndej nga fshati.

Hadja është një nga fshatrat në Komunën e Obiliqit që i përket zonës së shpallur me interes të veçantë për zgjerimin e aktiviteteve minerare të Korporatës Energjetike të Kosovës, KEK. Në këtë zonë gjenden rezerva të qymyrit – burimit më të rëndësishëm energjetik të Kosovës, i cili furnizon rreth 97 për qind të prodhimit total të energjisë elektrike.

Nebih Shala, Ruzhdi Mirena dhe Sh.P, janë që të tre banorë të Hades, të cilët kanë qenë pjesë e projektit të zhvendosjes. Që të tre janë duke banuar në Hade të Re, por përveç kësaj ata kanë edhe një gjë tjetër të përbashkët si shumica e banorëve tashmë të zhvendosur: Që të tre banorëve iu është kërkuar të paguajnë tatim edhe për pronën ku dikur jetonin e që më nuk ekziston në emër të tyre.

Nebih Shala, banor i Hades së Re, i cili njëherësh është edhe zyrtar i Gjendjes Civile në Komunë të Obiliqit, tregoi për Radion Evropa e Lirë se kompensimet për pronë i janë bërë në vitin 2011, kompensimet të cilat bëhen nga KEK-u dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, ku sipas zyrtarit Qeveria i ka kryer procedurat ndërsa KEK-u e ka bërë pagesën.

“Në vitin 2011 mua më është bërë pagesa për shpronësim dhe në vitin 2012 më ka ardhur [njoftimi] që jam i ngarkuar me tatim… Ne kemi dalë në vitin 2012, sepse na kanë larguar nga Hadja dhe kemi qenë diku dy vite si në [gjendje] emergjente në banesë në Obiliq derisa e kemi ndërtuar shtëpinë këtu… Kompensimi është bërë në fund të vitit 2011… Për ish-pronën, për 2012 kur unë kam qenë i shpronësuar më kanë mbetur edhe 38 euro tatim në pronë edhe ai borxh nuk është shlyer dhe nuk e kam ndërmend ta paguaj fare, sepse unë nuk kam jetuar aty më 2012… Të gjithë kanë borxhe, shumicës i kanë mbetur borxhet e Hades atje”, u shpreh Shala.

Skender Bucolli, lidhur me këtë çështje, tha se: “Duhet pyetur në komunë për atë se ne nuk e dimë”.
Në anën tjetër, drejtori i Planifikimit Urban, Pronë dhe Kadastër në Komunën e Obiliqit, Arben Berisha, e konfirmoi për Radio Evropa e Lirë duke thënë se pas inicimit të çëshjtes së shpronësimit, ata janë në pritje të një takimi në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për të kaluar në fazën e bartjes së pronave.

“Realiteti është ai që po e thoni ju [banorët ende paguajnë tatim prone edhe pas shpërnguljes]… E kemi iniciuar këtë çështje me Ministrinë e Planifikimit Hapësinor për arsye se nuk e kanë sjellë dokumentacionin komplet të shpronësimit edhe të ndërrimit të pronarëve, nga pronarët privatë në pronarë Qeveria e Republikës së Kosovës… Po presim çdo kohë që Ministria të na dërgojë komplet lëndët, [pastaj] ne hymë në aparat kadastral dhe e bëjmë bartjen e pronave”, tha Berisha.

Rel-i e ka pyetur Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës lidhur me atë se a është e vërtetë që banorët paguajnë tatim edhe për ish-pronën pasi janë zhvendosur, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Shpronësimet dhe zhvendosjet nga këto zona kanë nisur që nga viti 2002, ato kanë nisur nga institucionet e atëhershme të përkohshme, dhe më pastaj kanë vazhduar edhe nga Qeveria e Kosovës më 2009, kur edhe është shpallur Zonë e Interesit të veçantë ekonomik.

Zëdhënësi i KEK-ut, Bucolli, në një prononcim më herët kishte thënë se nga viti 2002 deri në vitin 2013, nga fshati Hade janë larguar rreth 127 familje dhe janë shpronësuar 156 hektarë tokë. /REL

Të ngjashme