Njohësi i së drejtës kushtetuese dhe ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Mazllum Baraliu ka thënë se Presidenti Hashim Thaçi nuk ka të drejtë të shpallë zgjedhje pa u shpërbërë Kuvendi dhe para se të shteren të gjitha mundësitë ligjore.
Ai në një prononcim për Ekonomia Online tha se Presidenti duhet t’i respektojë afatet ligjore jo më shkurt se 30 ditë dhe jo më larg se 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të reja.
” Është obligim kushtetues që në radhë të parë të shpërbëhet Kuvendi dhe pastaj janë afatet ligjore të cilat e kufizojnë dhe e orientojnë Presidentin që t’i respektoj ato domosdoshmërish dhe brenda afateve, pra nuk mundet as ma shkurt se 30 ditë sepse nuk ka mundësi përgatitje, partitë nuk mund të zhvillojnë fushata, KQZ-ja nuk mund të bëjë planin operacional dhe më së largu 45 ditë”.
Baraliu thotë që sipas kushtetutës janë dy mundësi, e para që të shpërbëhet Kuvendi në një mbledhje të veçantë dhe rruga e dytë është që partitë e koalicionit qeverisës të merren vesh dhe të caktojnë mandatarin e ri për kryeministër, por meqë shumica e partive janë deklaruar për zgjedhje të reja, atëherë Presidenti duhet të shpallë zgjedhje të reja.
“Ka dy mundësi mirëpo që shumica e subjekteve politike deri më tani prej ditës kur e ka proklamuar dorëheqjen e tij kryeministri, kanë deklaruar se nuk dëshirojnë variantin e tillë të një qeverie teknike një mandatari të ri, por dëshirojnë që të shkojnë në zgjedhje të reja atëherë mbetet që të mbahet një seancë e Kuvendit dhe të votohet shpërndarja e Parlamentit dhe të shpallen zgjedhjet e reja nga ana e Presidentit”.
“Njëra prej detyrave kushtetuese dhe ligjore është që në bazë të dispozitave të kushtetutës dhe nenit 4 të ligjit për zgjedhje të përgjithshme do të duhej që të shpallen zgjedhjet dhe zgjedhjet do të duhet të trajtoheshin si trajton ligji për zgjedhjet e përgjithshme për zgjedhjet e parakohshme, kushtetuta e jep mundësinë që të shpërbëhet parlamenti në një mbledhje të veçantë me 2/3 domosdoshmërish për shpërbërje nëse deputetët e Kuvendit votojnë në ma shumë se 2\3 shpërbëhet parlamenti atëherë Presidenti është i obliguar në bazë të kushtetutës që t’i shpallë zgjedhjet, në afat prej 30 ditësh më së largu 45 ditë dhe të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme ose të jashtëzakonshme parlamentare”
“Rruga tjetër është në bazë të nenit 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës parashihet që me rënien, me dorëheqjen e kryeministrit bie edhe qeveria, që do të thotë që nëse bie qeveria atëherë koalicioni qeverisës ose subjektet politike edhe ma gjerë se një subjekt qeverisës siç është PAN-i tani mund të propozojnë drejt Presidentit një mandatarë të ri dhe nëse pajtohen atëherë i bëjnë kombinimet e tyre për kabinetin qeverisës, do të duhej 10 ditë, nëse brenda 10 ditëve nuk mund ta bëjnë këtë edhe 10 ditë tjera i lejon Kushtetuta dhe Presidenti mandej nëse nuk bëhen përgatitjet për mandatarë dhe nuk e gjejnë çelësin për ta votuar një qeveri dhe për ta votuar në parlamentin ekzistues atëherë brenda 60 ditëve më së largu Presidenti është i obliguar që t’i shpallë zgjedhjet e reja të parakohshme”, tha ai për Ekonomia Online.
Baraliu tregon që me dorëheqjen e Kryeministrit, bie Qeveria dhe kjo që nënkupton se deri të zgjidhen organet e reja Qeveria dhe Kuvendi, qeveria në dorëheqje ka funksion teknik, nuk ka mandat valid për vendimmarrje, por vetëm veprime teknike.
“Kushtetuta e thotë se më dorëheqjen e Kryeministrit, bie edhe Qeveria, rënia e Qeverisë nënkupton disfunksionalitetin e saj, Kushtetuta i jep mundësinë për punët teknike jo vendimmarrëse, Qeveria vazhdon të jetë deri sa të mbahen zgjedhjet dhe të konstituohen organet tjera, Kuvendi dhe Qeveria e re. Vendimmarrje si qeveri valide me mandat për vendimmarrje nuk është dhe nuk do të duhej të jetë, por është qeveri teknike që merret me punët teknike të përditshme dhe asgjë më tepër”.
Ish-kryetari i KQZ-së Mazllum Baraliu ka folur edhe për punën e KQZ-së ku sipas tij përbërja e tanishme nuk do ta ketë problem të organizoj zgjedhjet, por meqë PAN-i ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretim se u takon secilës parti të kenë nga një përfaqësues veç e veç e jo si koalicion, Baraliu thotë se Gjykata Kushtetues duhet që këtë lëndë ta trajtoj me urgjencë dhe presidenca do të duhej ta respektonte atë vendim.
“Mund të jetë puna e KQZ-së valide edhe legjitime edhe ligjore sepse e ka kuorumin tashmë, ani që edhe me këtë kuorum pati probleme sa i përket zgjedhjeve në komunat e veriut sepse pati mendime të ndryshme, por janë instancat nëse KQZ-ja nuk është unike ose nuk e ka shumicën ka mundësi që me ankesë pala e pakënaqur atëherë shkon çështja në procedura ankimore në PZAP pastaj në gjykatë dhe kështu mund të zgjidhen aty, por funksional dhe i kompletuar do të ishte misioni dhe kompetencat e këtij organi që kushtetuta e cilëson si organ të pavarur dhe të përhershëm është kur do ti kishte edhe këta 2 anëtarë mirëpo meqë çështja është dërguar në Gjykatë Kushtetuese mendoj që Gjykata Kushtetuese do të duhej me urgjencë ta përfundonte këtë parashtresë dhe ta bënte të qartë se secila palë ka të drejtë dhe presidenca do të duhej ta respektonte atë vendim dhe t’i emëronte edhe 2 anëtarë të KQZ-së nga koalicioni PAN”, tha ai për Ekonomia Online.