Goli i parë i Barcelonës në ndeshjen kundër Liverpoolit, i shënuar nga Luis Suarez, i dha fund një ecurie të keqe të uruguaianit në Evropë si dhe u shkrua në historinë e klubit, që tani i ka 502 gola në Ligën e Kampionëve.
Barcelona e fitoi ndeshjen e mbrëmshme kundër Liverpoolit me rezultat 3:0, në kuadër të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve. Katalonasit tani janë vetëm 90 minuta larg finales.
Përveç që e ka bërë një hap të madh drejt finales, Barcelona tani i është bashkuar listës me Real Madridin si dy klubet e vetme që kanë arritur t’i shënojnë mbi 500 gola në historinë e Ligës së Kampionëve.
Megjithatë, katalonasve u mbeten ende shumë punë për të bërë, për ta arritur rivalin e vjetër. “Los Blancos” kanë shënuar gjithsej 551 herë në garën më prestigjioze të Evropës.
Real Madridi ka fituar më shumë tituj të Ligës së Kampionëve se cilido klub tjetër, përfshirë këtu titujt e tri sezoneve të fundit.
Në anën tjetër, Barcelona do të ketë mundësi t’i afrohet Real Madridit këtë sezon edhe për tituj, megjithëse i ka fituar vetëm katër tituj të Ligës së Kampionëve, pasi që madrilenët u eliminuan qysh në fazën e 1/8 të finales këtë sezon, nga Ajaxi.
Ndërsa, për Suarez, ky ishte goli i parë i sezonit në Ligën e Kampionëve. Uruguaianit iu nevojitën nëntë ndeshje dhe 36 goditje për ta shënuar një gol në Evropë këtë sezon.
Megjithatë, Suarezi ka shënuar mjaft shumë gola në garat e tjera. Ai i ka shënuar 21 gola në La Liga dhe tri në Kupën e Mbretit.